Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Egon Loli e konsideroi si “ligjërim të rrezikshëm” mënyrën e komunikimit publik të Donald Trump-it, duke e cilësuar atë të papërshtatshme për një President të SHBA-ve.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Loli u ndal te postimet e Trump në platformën Truth Social, për të cilat tha se shpesh janë pa filtër dhe politikisht jokorrekte, ku sipas tij Presidenti sillet më shumë si bloger.
Loli shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke u shprehur se Trump “po humbet edhe shëndetin mendor përveç luftës”.
“Rrëshqitja e Presidentit Trump në ligjërime të rrezikshme përmes statuseve të tij, postimeve në Truth Social...Ai është nga ata personazhe që duket që i shkruan vet, ato janë politikisht jo korrekte, dhe është e qartë që ai i shkruan vet, nuk ka asnjë filter aty. Kjo na shtyn edhe një tjetër diskutim të politikanëve që në situata krizash ne i shohim online, në Facebook, Instagram, etj etj...Kam përshtypjen që është bloger dhe jo President i SHBA-ve. Rrëshqitja në këtë lloj ligjërimi, qoftë në statusin e djeshëm, të pardjeshëm, ‘lavdi Allahut’, qoftë këto statuset për ‘shkatërrim qytetërimesh’, përveçse ngrenë një lloj mundësie që ky t’i bashkohet Netanjahut, si i kërkua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për krime lufte nëse i bën realitet ato, duke nisur me orën 08:00 në Nju Jork. Por mua kjo në sintezë më tregon që Presidenti Trump jo vetëm e ka humbur strategjikisht luftën, por tregon që ka humbur edhe shëndetin mendor përveç luftës”, tha Loli. (A2 Televizion)