"A e fshehu gjyqtarja Irena Gjoka dënimin në Greqi?"- Peka: E dërguar për të goditur Berishën e Metën

Nga A2 CNN
20 Janar 2026, 22:33 | Politikë

Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, deklaroi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, se gjykatësja Irena Gjoka ishte e dërguar nga ata që kanë drejtuar vetting-un për të goditur Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Ajo çfarë ka ndodhur është kjo: është përdorur një njeri me cen për të marrë përsipër gjëra që gjyqtarët e tjerë s'do t'i merrin përsipër. Ata që kanë bërë vetting-un, pavarësisht se nuk kanë administruar si provë, e kanë ditur se çfarë ka. E kanë ditur se çfarë ka edhe kur ka dalë si lajm, edhe kur është botuar dokumenti. Mediat kanë botuar dokumentin që sot SPAK e paska gjetur, Prokuroria e Përgjithshme e paska gjetur, e ka publikuar si dokument autentik dhe në atë kohë është bërë debat edhe në qarqet diplomatike këtu dhe nuk i është dhënë shumë zhurmë sepse nuk donin të cenohej Reforma në Drejtësi. Erdhi një moment kur përdorimi i saj merr fund sepse nuk kishte ku shkonte më. Kush janë gjyqtarët që kanë marrë vendimet më antiligjore dhe më të guximshme në gjithë këto kohë kundër opozitës, tek Sali Berisha, tek Ilir Meta, tek Fatmir Mediu, tek Fredi Beleri, tek Fredi Beleri e ke këtë gjyqtare. Kudo është kjo. Si i ra shorti kësaj te të gjithë këta të opozitës? Nuk i ra shorti kësaj, kjo është e dërguar aty për atë punë”, tha Peka.

“Ajo është zgjedhur nga këta që kanë drejtuar vettingun, nga influenca politike që kanë ata që kanë drejtuar vetting-un. Çfarë ka thënë opozita deri më sot? Opozita ka thënë që ndryshimet kushtetuese që u bënë në 2016 në mos gaboj pavarësisht përplasjeve u miratuan në mënyrë anonime. Shtatë ligjet e famshme të reformës në drejtësi që ishin në funksion në zbatim të ndryshimeve kushtetuese u vu dorë dhe u mor sistemi nën kontroll. Dhe një nga mënyrat për ta marrë sistemin nën kontroll ishte nëpërmjet vetting-ut dhe sot po të shikosh ke anëtarë familjesh në të gjitha instancat e drejtësisë. Dhe vijmë te kjo që vetting-u ka pasur njerëz me listë. Tre lista ka pasur vetting-u që të jemi të qartë. Ka pasur një listë të bardhë që duhet të kalonin çfarëdo që të kishin. Ka pasur një listë të zezë që duhet të digjeshin patjetër dhe ka pasur një listë gri pastaj që aty ishte kush e kalon dhe kush s'e kalon. Ky ka qenë vetting-u. Zonja aty është dërguar, është ditur se çfarë ka, i është dhënë ato detyra për t'i bërë, i ka bërë ato detyra. Është me afat skadence kjo punë, aq ishte misioni i saj. Është thënë edhe më përpara që ajo do përfundojë në burg. E kemi ditur ne që do përfundojë në burg. Edhe ajo e ka ditur që do përfundojë në burg”, shtoi Peka.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos