A është Sali Berisha një njeri i korruptuar? Kësaj pyetje, Enkelejd Alibeaj nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, por shtoi se çdo gjë që ndodh gjatë një mandati qeverisjeje, është përgjegjësi e kreut të asaj qeverie.
Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Alibeaj deklaroi se mandati 2005-2009, ishte katërvjeçari më i mirë qeverisës i Partisë Demokratike. Sipas tij, arritje u shënuan në ekonomi, por edhe në çështje të rendit.
“Ajo që erdhi në bazë të KOP-it solli efekte mjaft të mira. Solli edhe problematika të korrupsionit. Ngjarje të mëdha korruptive ishin ato që e njollosën deri në 2009 dhe mezi u mor mandati tjetër,” shtoi Alibeaj.
Por, sipas tij, katërvjeçari, 2009-2013 ishte ai që solli tatëpjetën e Partisë Demokratike.
“Derisa shqiptarët në 2013 e rrëzuan me 1 milion vota.”
Megjithatë, përpos “gabimeve” të të djathtëve gjatë qeverisjes së tyre, Alibeaj thotë se pas 2013, kur pushtetin e morën të majtët, sistemi korruptiv është kthyer në projekt politik.
“Shumë institucione deri në 2013, kishin njohur një lloj autonomie dhe me ardhjen e Ramës, u kastruan. E vetmja ngjarja ekskulzive nga 2013 e këtej, është Reforma në Drejtësi, po e kanë bërë euorpianët dhe amerikanët...”
Ndërsa, duke u ndalur te qeveria aktuale, Alibeaj deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk mund të quhet kundërshtar i fortë, por se opozita në fakt është ajo që është dobësuar dhe i ka krijuar kushtet e favorshme.
“Që nga 2021 e këtej. PD nuk pati mundësi që të rikuperohej që nga ‘non grata’ e Berishës. 8 janari ishte shërbimi më i madh që mund t’i bënim Edi Ramës. Kur një çështje tënden personale, kur ke premtuar të kundërtën, e ktheve në një problem të vetë PD. Madje e ktheve në luftë civile...me hekur e me zjarr... Opozita këto histori do të duhet t’i lërë mënjanë.”
Sipas tij, i vetmi zhvillim pozitiv në këtë dekadë qeverisjeje të kryeministrit Edi Rama është Reforma në Drejtësi, por për të, siç shprehet deputeti, meritën e kanë vetëm partnerët amerikanë dhe ata europianë. (A2 Televizion)