A2 CNN zbulon “non paper”-in përmes të cilin qeveria shqiptare ka argumentuar pranë selive diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë nevojën për të reformuar qeverisjen në të gjitha institucionet në vend, me fokus luftën ndaj korrupsionit.
8 vite nga miratimi i reformës në drejtësi mazhoranca e Edi Ramës shpjegon në 8 faqe dokument idenë e kontrollit të kuadrit ligjor të drejtësisë edhe këtë herë në emër të pavarësisë dhe transparencës.
“Procesi i reformës do të fokusohet në nënshtrimin e agjencive shtetërore dhe institucioneve të pavarura ndaj një procesi reformash të përafruar me vlerat dhe standardet e transformimit të sistemit të drejtësisë. Kjo përfshin vlerësimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin e tij, shqyrtimin e legjislacionit dhe masave institucionale për të forcuar arritjet e reformave në kushtet e pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies, cilësisë dhe efikasitetit në të gjithë sistemin e drejtësisë”.
Sistemi u zbraz nga vetingu përtej pritshmërive, ndërsa dosjet stok janë një prej problemeve themelore që reforma në drejtësi nuk u ka dhënë zgjidhje. Ideja që kryeministri u paraqet partnerëve ndërkombëtarë për zhdërvjellsimin e punës është digjitalizimi.
“Përsa i përket eficencës në sistemin e drejtësisë, prioritete urgjente janë ulja e dosjeve stok dhe implementimi I digjitalizimit në këtë sistem”
Në emër të luftës ndaj korrupsionit, të cilin raportet ndërkombëtare e identifikojnë të shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes, ekzekutivi mendon se zgjidhja është kalimi në site i punës dhe ligjeve funksionale të çdo institucioni.
“Fokusi i veçantë do të kenë sektorët me vulnerabël ndaj korrupsionit, siç janë ligji për pronat, taksat, prokurimin publik, shëndetësia dhe arsimi. Gjithashtu, prioritet do t’i jepet përmirësimit të cilësisë së hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj rasteve të korrupsionit, përmirësimi i hetimeve financiare dhe parandalimi i ndërhyrjeve të huaja a nga vende jo mike”.
Të gjithë këtë punë sipas qeverisë së Edi Ramës duhet ta bëjë një komision Ad Hoc Parlamentar me përfshirjen e mazhorancës dhe opozitës si dhe me asistencën e aleatëve. Implementimi i planit qeveritar shtrihet në 5 faza, me të parën që është kryer me prezantimin e p/rezolutës. Hapi i dytë është krijimi i Komisionit Parlamentar Ad Hoc, për të vijuar me analizën dhe vlerësimin e kuadrit ligjor dhe institucional.
Faza e katërt, sipas projektit qeveritar, lidhet me hartimin e një raportit me gjetjet kryesore, të cilat pasi konsultohet edhe grupet e interesit zyrtarizohet me miratimin e një Dokumenti Strategjik dhe paketa për ndryshime ligjore. Ky dokument do të shërbejë për të nisur reformimi dhe ndërtimi i shtetit modern për në BE siç pretendon PS. Rama propozon që kjo punë mes Parlamentit dhe aleatëve të bëhet në harkun e një viti, pavarësisht se në dokumentin që disponon A2 CNN lihet e hapur mundësia për më shumë kohë në dispozicion nëse do të jetë e nevojshme. (A2 Televizion)