Prej 1 orë e 30 minutash në ambientet e një kompleksi në Elbasan, deputetë socialistë kanë nisur retreat-in e radhës ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, e ku pritet të diskutohet mbi strategjinë e re të komunikimit publik.
Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi ai që ka nisur takimin me fjalën hapëse të fokusuar te ‘sfidat e sesionit parlamentar’, ndërsa është pasuar nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
A2 CNN ka mësuar nga burime brenda grupit të PS se Peleshi, Spiropali dhe Balla njëzëri u kanë kërkuar më shumë aktivitet deputetëve të tyre si në Parlament ashtu edhe në terren.
Kërkesa e tyre për ligjvënësit e majtë është që ata të flasin më tepër për projektet dhe investimet e mazhorancës socialiste me qytetarët, ndërsa në Parlament t’i mbrojnë këto nisma.
Gjithashtu deputetëve ju është kërkuar që të jenë më tepër aktiv në rrjetet sociale të komunikimit, raporton A2.
Vëmendja kryesore e socialistëve duhet të jetë te zgjedhjet parlamentare, por puna me fushatën nuk duhet të interferojë më procesin e integrimit.
Ndërkohë, ministrja e shtetit Majlinda Dhuka mësohet t’u ketë thënë deputetëve se po punohet intensivisht që në tetor të zhvillohet konferenca e dytë ndërqeveritare për të çelur kapitujt e integrimit me BE, shkruan A2.
Gjithashtu Dhuka ka thënë që Shqipëria deri tani ka bërë gjysmën e punës për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.
A2 CNN mëson po ashtu se Fatmir Xhafaj ka folur para deputetëve për rëndësinë e komisionit Antikorrupsion në funksion të integrimit. Gjithashtu u ka garantuar socialistëve që ka mbështetjen e SHBA dhe BE dhe puna do të vijojë me ekspertët, të cilët janë ende në proces përzgjedhje, pavarësisht nëse opozitë do të jetë apo jo në Komision. (A2 Televizion)