A2 CNN zbulon datën se kur do të mbahet konferenca ndërqeveritare BE-Shqipëri

Nga Fjorela Beleshi
26 Shtator 2024, 08:15 | Politikë

A2 CNN zbulon datën se kur do të mbahet konferenca ndërqeveritare

Burime nga qeveria dhe Parlamenti konfirmojnë për A2 CNN se konferenca e dytë ndërqeveritare e Shqipërisë me BE do të mbahet me 15 tetor.

Në korrik të 2022 Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE. Pas këtij vendimi shteti shqiptar u mor me procesin screening, fotografimin e legjislacionit shqiptar. A2 transmeton se vendi ynë ishte gati një vit më parë për hapjen e kapitujve të parë, të cilat përfshijnë çështjet më të rëndësishme nga shteti ligjor e Reforma në Drejtësi, te zgjedhjet, demokracia por edhe ekonomia.

Pengesë për Tiranën zyrtare u bë “vetoja” greke për shkak të konfliktit pas arrestimit të Alfred Belerit, minoritarit që fitoi bashkinë e Himarës por që u dënua për korrupsion zgjedhor.

Gjithashtu ditën e nesërme kryetarja e komisionit për çështje europiane, Jorida Tabaku, do të zhvillojë një mbledhje në orën 11:00 për të diskutuar pozicionet negociuese.

Lajmi konfirmohet edhe nga një zëdhënës i BE për Euractiv. “Rruga e pranimit të Shqipërisë në BE do të shkëputet nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me grupet e para të negociatave që do të hapen zyrtarisht më 15 tetor, sipas një vendimi unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mërkurën (25 shtator)”, tha një zëdhënës për Euractiv, raporton A2.

Rruga e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE u shoqërua me fillimin e negociatave të nisura zyrtarisht në verën e vitit 2022. Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Bullgarisë, hapja aktuale e kapitujve është shtyrë pa fund, duke ndikuar drejtpërdrejt në progresin e Tiranës, shkruan A2.

Por tani, hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së  “Cluster 1 – Fundamentals”.

Ky grup përfshin disa kapituj - Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria, siguria dhe kontrolli financiar.

 

INTEGRIMI, DATAT KRYESORE

 

Qershor 2003: Samiti i Selanikut BE-Ballkani Perëndimor konfirmon perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

 

Qershor 2006: Nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

 

Prill 2009: Hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Shqipëria paraqet kërkesën për anëtarësim në BE.

 

Nëntor 2010: Komisioni Evropian nxjerr Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke përfshirë një grup prej 12 prioritetesh kyçe që duhen përmbushur në funksion të hapjes së negociatave të anëtarësimit.

 

Dhjetor 2010: Udhëtim pa viza në zonën Schengen për qytetarët e Shqipërisë.

 

Qershor 2014: Këshilli Evropian i jep Shqipërisë statusin kandidat për anëtarësim në BE.

 

Prill 2018: Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli të vendosë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në dritën e progresit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar vrullin aktual të reformës.

 

Qershor 2018: Këshilli përcakton rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me vendin, në varësi të progresit të bërë.

 

Maj 2019: Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit.

 

Shkurt 2020: Metodologjia e rishikuar, e paraqitur nga Komisioni, për të çuar përpara procesin e zgjerimit me një drejtim më të fortë politik dhe në një mënyrë më të besueshme, të parashikueshme dhe dinamike.

 

Mars 2020: Këshilli Evropian vendos hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

 

Tetor 2020: Komisioni Evropian miraton një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për ta mbështetur dhe për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së.

 

Maj 2021: Komisioni Evropian informon Këshillin se Shqipëria ka plotësuar kushtin e mbetur për t'u përmbushur përpara mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare të negociatave të anëtarësimit.

 

Korrik 2022: Konferenca e parë Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit (IGC) – nis shqyrtimi analitik i acquis (“screening”).

 

Korrik 2023: Komisioni Evropian i paraqet Këshillit raportin e shqyrtimit mbi grupkapitujt e “Bazave”, duke përfshirë piketat për hapjen e negociatave të anëtarësimit për këtë grupim.

 

Nëntor 2023: Komisioni miraton një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos