Me fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shpërndaheshin nëpërmjet ambasadës në Tiranë, Sali Berisha thotë se kanë abuzuar edhe njerëz të afërt me kryeministrin Edi Rama.
Lideri i opozitës pohon se një prej abuzuesve të fondeve të SHBA është Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit, shkruan A2 CNN.
“Në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, me financimet amerikane ka abuzuar edhe ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës, Delina Fico, e cila drejton një projekt për uljen e stokut të dosjeve në Gjykatën e Lartë.
“Lubia numër 2 apo Delina Fico me këshilltarët ligjorë që kompania e saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, ka afruar Gjykatës së Lartë dhe sistemit të drejtësisë, ka gllabëruar nga fondet e USAID-it dhjetë milionë euro”, tha Berisha.
Hetime premton se do të kryejë edhe vetë, nëse pas 11 majit merr në duar qeverisjen e Shqipërisë, ku thotë se do të kryej auditim të plotë të fondeve. Por ndërkohë fton autoritetet amerikane të hedhin dritë.
“I bëj thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë”, tha kreu demokrat.
Berisha konfirmoi edhe një deklaratë të drejtuesit të fushatës Chris LaCivita, i cili për Nju Jork Tajms pohoi se bashkëpunimi i tij me Partinë Demokratike nuk parashikon lobimin pranë autoriteteve amerikane për heqjen e non gratës. Kryedemokrati nënvizoi se LaCivita është kontraktuar vetëm si strateg elektoral. (A2 Televizion)