Ahmetaj para drejtësisë, Tabaku: Pres të njëjtën gjë dhe për Veliajn! Mbështes SPAK

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 21:28 | Politikë

Ahmetaj para drejtësisë, Tabaku: Pres të njëjtën

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e sheh si një sukses të drejtësisë së re faktin që sot ka një urdhër-arresti ndaj ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj akuzuar për aferën e inceneratorëve, duke shtuar se pret që të njëjtin fat të ketë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Kush e mendonte që Arben Ahmetaj sot është në arrati, para disa kohësh i kam thënë “unë e bëj gjumin e qetë, ti e bën gjumin e qetë apo pret se mos SPAK ka sjellë një fletë thirrje?”, dhe pak muaj më vonë i erdhi, sot ai është në arrati, suksesi është që u pre një fletë arresti për Arben Ahmetaj, dështimi është që nuk është sot pas hekurave, pres të njëjtën gjë për Erion Veliajn”, deklaroi deputetja, ftuar në emisionin “Debat” me Alba Alishani.

Në ndryshim nga një pjesë e konsiderueshme e opozitarëve, me në krye Sali Berishën dhe Ilir Metën, Tabaku tregon se mbështet SPAK në punën e tyre, pasi beteja nuk është me të.

“Nuk e kemi betejën me SPAK, ne duhet t’i kërkojmë që të bëjnë më shumë, të ecin më shpejt, të shkojë te pushteti dhe kjo është sfida e SPAK”, u shpreh Tabaku.

Për demokraten, politika duhet të rrijë larg drejtësisë.

“Sot drejtësia ka një sfidë të jashtëzakonshme dhe ne duhet ta lëmë të punojë atë, t’i japim kohën e duhur, pa presion politik, përfundoi deputetja në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos