Në fjalën e tij të radhës nga arresti i shtëpisë, Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e nesërme që do të mbahet përpara Bashkisë së Tiranës, ku do të kërkohet edhe njëherë dorëheqja e kryetarit Erion Veliaj.
Berisha, teksa akuzoi SPAK-un se ka frikë të përmendë emrin e kryebashkiakut, shprehu bindjen se opozita do ta çojë deri në fund këtë betejë, ashtu si atë me parlamentin.
“Erion Veliaj që ju vjedh. Policia e Ballës që merret me të vjedhurin. Skapi i partisë që amniston Veliajn dhe nuk guxon të mos ja përmendur një herë emrin.
Janë të gjitha konfirmime se misioni ynë është i shenjtë. Se beteja jonë është shpresa e vetme e shqiptarëve, se beteja jonë është betejë për çlirimin e Shqipërisë.
Ndaj të premten në ora 11:00. Para Bashkisë. Qytetare dhe qytetar të Tiranës. Koha ka ardhur që ti përgjigjeni kësaj thirrje nga shpirti dhe zemra secili nga ju. Kjo nuk është për Sali Berishën. Kjo betejë është për parat e vjedhura tuajat 100%. Kjo betejë është dinjitetin tuaj.
Ftoj opozitarët, ftoj çdo qytetar, çdo aktivisht, çdo intelektual që e ndjen se ndaj tij, ndaj komunitetit dhe ndaj kombit po bëhen padrejtësi të mëdha, të bashkohen me ne nesër në ora 11:00 për ti dhënë përgjigjen që meriton kryehajdutit të kryeqytetit të Shqipërisë.
Se siç fituam betejën në parlament, ashtu do ta fitojmë edhe betejën e Bashkisë së Tiranës”, tha mes të tjerash Sali Berisha. (A2 Televizion)