Bashkia dhe Policia e Vlorës kanë nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike të zaptuara padrejtësisht.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, është shprehur se këto janë punë të mbartura që duheshin bërë prej kohësh, shkruan A2 CNN.
Teksa u pyet nëse ky aksion erdhi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë, Dredha e mohoi diçka të tillë, por shtoi se kjo është një punë e përbashkët në shërbim të komunitetit.
Ai tha gjithashtu se i duhet dhënë më shumë vlerë hapësirave të përbashkëta publike në qytetin e Vlorës.
Pjesë nga diskutimi:
Dredha: “Normalisht duhej bërë me kohë. Këto janë të mbartura edhe prej shumë vitesh tashmë. Por edhe logjika e asaj që po përçojmë prej kohësh, që duhet të promovojmë turizmin dhe Vlorën si destinacion turistik, patjetër që duhet t’i japim vlerë më të madhe edhe pjesës së hapësirave publike. Edhe aty ku ka ndonjë çedencë për sa i përket edhe miratimit apo kontratave që mund të jenë dhënë në rrugë të ndryshme gjatë këtyre viteve, do të shikojmë mundësinë si do t’i lirojmë, me qëllim që t’i rikthehen përsëri komunitetit. E bëmë tani, sepse tani e shikojmë më të arsyeshme që të marrim masa konkrete që të bëjmë diçka”.
Pyetje: “Pse tani, apo pas deklaratës së Ramës?”
Dredha: “Nuk ka lidhje me deklarata, ka lidhje me impenjim të të gjithëve. Edhe vitin e kaluar kanë qenë të zëna dhe ne duhet të bëjmë çmos t’ja kthejmë hapësirat qytetarëve. Nuk ka pasur kontrata për Shkollën e Marinës. Ju e shikoni edhe rezultatin, ato janë hequr.” (A2 Televizion)