
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, demokratëve, prindërve dhe bizneseve që të bashkohen nesër në Tiranë në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve protestues.
Në një deklaratë për media nga selia blu, kreu demokrat akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë ndaj të rinjve gjatë protestave të ditëve të fundit, ku sipas tij qindra protestues, mes tyre edhe të mitur janë keqtrajtuar dhe arrestuar.
Sipas Berishës nesër pritet të mbërrijnë në kryeqytet shqiptarë nga diaspora dhe vende të ndryshme të Europës, për t’iu bashkuar studentëve.
“Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët. Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë”, u shpreh Berisha.
Deklarata e plotë
Të dashur qytetarë dhe qytetare, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, u drejtohem sonte para së gjithash si prind, si gjysh, si qytetar, por edhe ish-president e ish-kryeministër i këtij vendi.
Të gjithë ju, prindërve, qytetarëve dhe qytetareve, të gjithë anëtarëve të diasporës tonë kudo që janë, të rinjve dhe të rejave në të katër anët e vendit, nesër është një ditë shumë e rëndësishme, tejet e veçantë.
Që nga data 13 gjer sot, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrën më shtazore me akte barbare ndaj studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës.
I kanë keqtrajtuar, torturuar, ndaluar dhe arrestuar me qindra e qindra prej tyre.
Kanë mbushur komisariatet me të mitur, me vajza, me qytetarë dhe të moshave më të shtyra.
Barbaritë e tyre mbi trupat e rrëzuar të të rinjve dhe studentëve, thyerja e kockave, çarja e kafkave me bombola gazi, me plumba gome, përdorimi i granatave të gazit dhe zhurmuese, përdorimi i tonelatave gaz të skaduar ariu, spraj ariu, shkopinjtë e gomës shoqëruar me shufra hekuri.
Tirana nuk ka njohur një barbari të tillë ndaj të rinjve shqiptarë as në vitet ’90.
Nesër gjimnazistët dhe studentët e Tiranës kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari në betejën e tyre epike.
Në betejën e tyre të pamposhtur.Nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës.
Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët, të cilët në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend, ëndrrën e tyre shqiptare nga një zjarrvënës, armik i egër i kombit.
Po mbrojnë dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Janë ngritur viganë kundër bandave të drogës në qeveri, narkoshtetit me pasojat e tij shkatërrimtare, kreut të këtij narkoshteti, Padrinos Edi Rama.
Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë. (A2 Televizion)