Edi Rama u ka kthyer përgjigje akuzave të bëra nga kundërshtari i tij politik, Sali Berisha, javët e fundit, në adresë të kunatit dhe të vajzës së bashkëshortes së tij.
Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë theksoi se në asnjë rast, pjesëtarë të familjes nuk kanë përfituar para nga fondet publike.
Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu akuzat e bëra në emër të tij për fluturime me charter jashtë vendit, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Ta mësojnë të gjithë, edhe ata që mund të impresionohen nga akuza absurde për miliona euro të shpenzuara për fluturime, që unë dhe, të gjitha rastet që anëtarë të familjes sime udhëtojnë me mua. Udhëtoj në dy mënyra; në rastet e vizitave zyrtare apo të punës sime si kryeministër, me avionin përkatës. Në të gjitha rastet e tjera me avionët e linjave si të gjithë shqiptarët, në ekonomik dhe me shpenzimet e mia,” shpjegoi Rama.
Ndërsa, i pyetur për sjelljen e mazhorancës në Parlament që nga nisja e aksionit opozitar nga grupimi i Sali Berishës, kryesocialisti e pranoi anormalitetin e situatës, por shtoi se nuk u ka mbetur rrugë tjetër.
“Dëshira dhe gatishmëria për ta diskutuar janë të padiskutueshme. Por kur ti shkon në Kuvend për të folur dhe gjendesh përballë individësh që vijnë për të treguar forcën e muskulaturës, ka dy rrugë: ose të tregosh edhe ti forcën e muskulaturës, ose në pamundësinë për të folur, të votosh e të vazhdosh punën.”
Duke u nisur nga këto akuza, Rama theksoi se opozita nuk mund të kërkojë ngritjen e komisioneve hetimore “për të marrë nëpër gojë njerëz.” (A2 Televizion)