Kryeministri Rama ka dalë mesditën e kësaj të premteje në një konferencë me gazetarët, ku ka folur në nisje të fjalës së tij për çështjen e 21 janarit. Rama vuri edhe njëherë theksin te domosdoshmëria e zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje, që sipas tij, ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut por nga urdhri, i cili ka ardhur nga maja.
Ai vijoi më tej duke thënë se krimi shtetëror i 21 janarit, sikurse e cilësoi ai, historia tregon që vonon shumë për t'u zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur, ndërsa nuk ngurroi të sulmojë edhe Prokurorinë e Tiranës, që sipas tij është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin dhe natyrisht pastaj edhe me dhimbjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave në radhë të parë, por edhe të gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë, një provë të re të dalë para disa muajsh.
"E kam thënë që krime shtetërore si ai i 21 janarit, historia tregon që vonon shumë për t'u zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur, dhe ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin dhe natyrisht pastaj edhe me dhimbjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave në radhë të parë, por edhe të gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë, një provë të re të dalë para disa muajsh, është koha që drejtësia e re të reagojë pasi në ndërkohë, qysh se ky krim ka marrë rrugët e prokurorive dhe gjykatave të vendit, ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë.
Leximi i vendimit të gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite dhe vendosja e gishtit drejtpërdrejtë tek autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut por nga urdhri, i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, gjykata nënvizon, vë gishtin edhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është shumë e qartë në vendim se autoritetet ekzekutive më të mëdha të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.
Unë e kam bindje të palëkundur edhe sot e gjithë ditën që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por sigurisht mund të vonohet, mund të vazhdojë të vonohet e për këtë arsye jam këtu, duke i shprehur këto konsiderata, sepse është e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e reformës në drejtësi, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos vazhdojë të rrijë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e mos këputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund drejtësi për 21 janarin.
Përballë këtij krimi shtetëror të 21 janarit, të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të peshuar në vendosjen e plotë të të gjithë themelit të ri të drejtësisë, i cili sapo ka nisur të ndërtohet. Dhe nëse 21 janari mbetet në ajër, atëherë edhe themeli i ri i drejtësisë, nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokrat, në një vend ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për t'i marrë jetë njerëzve të pafajshëm.", u shpreh Kryeministri Rama në fjalën e tij hyrëse para gazetarëve. (A2 Televizion)