Dashamir Shehi i LZHK-së doli këtë të premte në një konferencë për mediat për të mbështetur drejtësinë e re, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në krah dhe të disa partive të vogla opozitare, Shehi akuzoi kryeministrin për sulmin ndaj SPAK dhe GJKKO. Sipas tij organet e drejtësisë janë nën sulm dhe presion edhe nga partitë e tjera politike.
“Rasti më i fundit është i Kryeministrit Edi Rama që inicioi sulme publike ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO, duke kundërshtuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj, ndaj të cilëve reaguan me forcë si organet e drejtësisë, edhe ndërkombëtarët”.
Sipas Shehit ata prokurorë e gjyqtarë nuk duhen lënë vetëm përballë krimit, korrupsionit, presionit të partive politike.
“LZHK gjykon që ata prokurorë e gjyqtarë nuk duhen lënë vetëm përballë krimit, korrupsionit, presionit të partive politike që kanë marrë përsipër të bëjë prokurorin e gjykatësin kur i leverdis thonë e kemi bërë ne drejtësinë e re kur nuk i leverdi ngrihen në mëngjes dhe fillojnë sulmin dhe i tregojnë vijat e kuqe. Proceset janë në vazhdim dhe ky është shantazh për t’i trembur e përkulur për t’i thënë që ky është oborri ynë dhe mos hyni”.
Një ditë më parë edhe partitë e reja opozitare organizuan një protestë në mbrojtje të drjetësisë së re, pas sulmeve të Ramës.
(A2 Televizion)