“SPAK nuk është Vatikani”, Veliaj në burg, Rama: Shantazhe me komunikimet e gjetura në telefon

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2025, 18:37 | Politikë

Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga mbrojtja politike për Erion Veliajn, duke e cilësuar dosjen e SPAK me prova të pamjaftueshëm për ta mbajtur në burg.

“A e dini që kreu i Bashkisë së Tiranës, për të cilin u dha masa arrest me burg, nuk është i pandehur? Prokurori nuk i ka provat e mjaftueshme, por, sipas tij, ka dyshimet e mjaftueshme”, u shpreh kryeministri.

Ai vijon më tej duke ngritur dyshime mbin punën e Prokurorit me pretendimin se  Veliajt dhe bashkëshortes së tij po i bëhen presione me komunikimet që janë gjetur në telefonat e sekuestruar.

Kryeministri fajëson drejtësinë që i ka lënë qytetarët e kryeqytetit pa një udhëheqës.

“Kryetari i bashkisë nuk është shpallur fajtor, nuk është as i pandehur, është thjesht i dyshuar. Kush do t’ i bëjë punët për të cilat ka bashki dhe qytetarët kanë zgjedhur kryetarët e bashkive? Kush?”, shtoi ai.

Jo më larg se dhjetorin e kaluar e konsideronte historike vullnetin e tij për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë. Sot që krahason SPAK-un me hetuesinë e diktaturës komuniste, nuk pranon ta quajë sulm.

“Si mund të quhet sulm ndaj SPAK-ut ky, kur po ngre një problem që është kaq parimor? Nuk mund të ketë SPAK pa Edi Ramën. Se ju nuk i dini të gjitha, duke vënë në tavolinë ekzistencën qeverisëse: O votoni reformën, o rrëzoni qeverinë! Se nuk më intereson qeveria dhe të mos bëj unë kërkesë të tillë për standarde demokratike”. Por SPAK nuk është Vatikani”, deklaroi kreu i qeverisë.

Përtej këtij komunikimi me qytetarët, edhe te enjten zhvilloi një takim me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, që duket se do të jenë të përditshme, ndërsa përmes rrjeteve sociale mohoi lajmin se do t’i shkonte për vizitë Erion Veliajt në qelinë e paraburgimin në Durrës, duke garantuar se as ai dhe as Partia Socialiste nuk do të bëjnë mbrojtjen ligjore të kryebashkiakut.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos