“Akuzat haluçinante”, Veliaj sulmon prokurorin Olsi Dado: Pervers dhe zvarranik

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2025, 19:13 | Politikë

Në reagimin e dytë pas arrestimit, Erion Veliaj, ka sulmuar prokurorin, hetimet e të cilit e çuan pas hekurave. Olsi Dadon nuk ngurron ta cilësojë pervers, zvarranik dhe sajues të të gjithë historisë në të cilën, siç shprehet Veliaj, ai del një kriminel i korruptuar.

"Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël".

Veliaj përgënjeshtron gjetjet nga hetimet disa mujore të SPAK duke shkruar se bashkëshortja e tij nuk ka shpenzuar 860 mijë euro për blerje online por disa herë më pak.

"A ju duket rastësi që në të gjithë historinë e gojës së kërmës Sali, ky violinist i mbetur në tentativë është i vetmi individ që pasi e ka akuzuar si kriminel një ditë më parë, Saliu i ka kërkuar falje të nesërmen?

Mua jo, se që të të kërkojë falje Saliu, do duhet realisht t’i bësh një shërbim të pamundur. Po kjo s’është akuzë, është vetëm një opinion".

Veliaj u arrestua të hënën ndërsa ndaj bashkëshortes së tij është caktuar masa e sigurisë arrest në shtëpi. Të dy akuzohen se kanë ideuar dhe krijuar një skemë kriminale përmes së cilës fondet e Bashkisë përfundonin në organizatat e drejtuara nga Ajola Xoxa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos