Komisioni i ligjeve i dha dritën jeshile ndryshimeve në kodin zgjedhor sipas propozimit të maxhorancës duke refuzuar amendamentin e demokratëve që në parlamentaret e 11 majit të votojnë edhe emigrantët që nuk kanë një dokument identifikimi të shtetit shqiptar.
Opozita nuk shfaqi mëri pasi palët duket se kishin gjetur një tjetër dakordësi. Bashkërisht shtuan minutazhin e reklamave gjatë fushatës elektorale dhe shumëfishuan limitet e shpenzimeve të partive dhe kandidatëve.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kaluan pengesën e parë duke marrë aprovimin në Komisionin e Ligjeve. Kushti i opozitës se në parlamentaret e 11 majit duhet të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë një dokument identifikimi vendas nuk u bë pengesë pasi socialistët gjetën shumicën e nevojshme të votave, duke i dhënë dritën jeshile kërkesave të tjera të kërkuara nga KQZ.
Tonet e qeta, pavarësisht ultimatumeve publike, gjenin arsye te një tjetër dakortësi që duket se ishte arritur. Socialistët propozuan dy amendamente të cilat konsistonin në shumëfishimin e parave që mund të shpenzojnë partitë politike dhe kandidatët në zgjedhje.
Kjo kërkesë e PS nuk hasi në kundërshtinë e demokratëve të cilët gjithashtu shtuan një amendament ekstra, për të shtuar minutazhin e reklamave të partive politike në fushatë elektorale.
Secila palë miratoi edhe propozimet e palës tjetër.
Procedura finale e votimit në tërësi nxori edhe më shumë zbuluar dakordësinë e heshtur ndërmjet palëve, pasi unanimisht u miratua kërkesa drejtuar Presidentit Bajram Begajt për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit, pas votimit të enjten në seancë plenare. (A2 Televizion)