Kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral në Devoll nuk ka lënë pa komentuar incidentin e së shtunës mbrëma, ku deputeti demokrat Bledion Nallbati dhe vëllai i tij u konfliktuan me shoferin e një kamioni pas parakalimit të gabuar.
Shefi i qeverisë e ka quajtur Nallbatin “një xhuxh agresiv”, duke ironizuar edhe me emrin e koalicionit të PD, teksa shtonte se ai do që ta bëjë “Devollin madhështor”.
“Janë dy vëllezër njëri katran dhe njëri katran me bojë që më thonë që është një pëllëmbë mbi tokë dhe tani që flasim janë prapa hekurave. Kjo është e vërteta dhe këta do bëjnë Devollin madhështor, një xhuxh agresiv do bëj Devollin madhështor. I thonë Duçe ngaqë është i fortë”, tha Rama.
Teksa vijonte shigjetimin e Nallbatit nga qyteti që cilësohet “hambari” i votave për deputetin e PD, Rama e vuri në pikëpyetje mbështetjen e qytetarëve për të, duke thënë: ‘Si mund të votohet një rrugaç?'”.
Rama rikujtoi se zona e Devollit është përfaqësuar në Parlament nga poeti i shquar Dritëro Agolli nën siglën e PS më parë, ndërsa në kohët që jetojmë përfaqësohet nga “një rrugaç”.
“Si mund të votojnë demokratët e Devollit për një rrugaç? Është një grup rrugaçësh. Ju e dini mirë rrugaçin kryesor. Si mund të bjerë pazari deri në pikën kur t’i çojnë parlamentit të Shqipërisë këtë rrugaç? Devolli ka sjellë në parlament një rrugaç të një niveli, nuk e di në cilën vjershë të Dritëro Agollit mund të gjente vend, por te fjala kokëbosh dhe trangull. Demokratët këtu mund të kenë 1 mijë arsye që të mos duan Peleshin e 5-fishin e arsyeve të mos më duan mua, por s’i mund të bjerë pazari deri në pikën që t’i çojnë parlamentit të Shqipërisë… po e them siç më vjen se realisht më duket fundi nga Dritëro Agolli te një rrugaç, nga një poet kombëtar te një turp vendor këtu. Si mundet të bëhet kjo punë”, nënvizoi kryeministri. (A2 Televizion)