Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Bulqiza premtoi se do të mbrojë me çdo kusht shëndetin e minatorëve.
"Trajtimi mjekësor do jetë krejtësisht i veçantë, sipas profilit të minierave. Do mbrohet me çdo kusht shëndeti juaj.
Minierat kanë grimcat, është e njohur. Pra, shëndeti i minatorit do ketë një përparësi të madhe. Karta e konsumatorit do shtrihet tek të gjithë minatorët, zjarrtarët, gjeologët. Karta e konsumatorit do të thotë që do blini çdo gjë që u duhet për jetesën tuaj 20 përqind më lirë. Tjetër. Ne futëm për herë të parë rentën sepse ne jemi parti e takave të ulëta. Ajo taksë të ngelej për Bulqizën, për shkollat, për qendrën shëndetësore. Merr fund! Dhe marrëveshja ndërkombëtare e Shqipërisë për rentën ka këtë përcaktim. Renta u vendos mbi një kuadër ndërkombëtar të OKB, sipas të cilës ajo duhet të merret dhe t’u jepet autoriteteve lokale për nevoja. Këta e grabisin, e marrin vetë. Merr fund ajo. Renta do i mbetet komunitetit lokal.
Dhe ky status, kjo situatë do shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Pa përjashtim. Made in Albania është shtylla e dytë kryesore e prodhimit tonë. Krenaria jonë është prodhimi ynë kombëtar. Dhe ne mund të nxjerrim minerale ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan. Askush nuk ka shumëllojshmërinë e mineraleve dhe minierave tona. Jo vetëm do i nxjerrim, por do i shndërrojmë më pasuri dhe mirëqenie për ju", tha Berisha, shkruan A2.
"Kauza juaj është e drejtë dhe ajo kauzë me datën 11 Maj triumfon në mënyrë përfundimtare. Unë personalisht u them ju se atë e grupoi si një borxh që Shqipëria ka ndaj jush. Dhe borxhi do kthehet. Borxhliu që nuk kthen borxhin është i mjerë.
Ne do u vendosim ju në piedestalin që meritoni! Miq, ky është programi ynë për minatorët. Por, dëgjojeni pak programin tjetër. Një pyetje t’u bëj, po çfarë i hyn në punë minatorëve që rraskapiten 8 orë në galeri, Lamborghini i Noizit? Më thoni ju mua? Çfarë u sjell minatorëve Lamborghini i Noizit. Sot ai në Devoll, mosha e ka bërë të rrjedhur Berishës. Unë nuk i them se je i rrjedhur Edi Rama. Edi, nuk je i rrjedhur, por je i trembur. Je i tmerruar. Ti edhe klounin bën, por prapë hajde këtu në këtë sallë të dalim përpara këtyre burrave. Po ta mban, hajde këtu, mos dil me Lamborhinin e Noizit, po dil me këta.
Dil pak këtu, dëgjoji këta burrash se çfarë sakrificash bëjnë. Po ty nuk ta vret fare për ta se mendjen e ke te Lamborghinët, e ke te Kopshti i Edenit që e blen 5 milionë euro për të eglendisur sytë, dhe të sëmurët i lë pa ilaçe në Spitalin Onkologjik.
Ndaj dhe lëri ato ti. Ai bën klounin, po nuk është as kloun. Problemi i tij është se nuk di ku të fusë kokën. Ai është në rreth të kuq, prandaj bën klounin. Ai është në rreth të kuq sepse siç u damkos në rezolutën e udhëheqjes politike më kryesore të Europës, ky është armik i pluralizmit, ky është armik i opozitës, ky është sipërmarrës i përbashkët me krimin. Ndaj ta kesh të qartë ai se kurrë, deri në orën e fundit të jetës së tij, këto damka nuk i hiqen. Nuk del nga rrethi i kuq më", shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)