VENDIMI: Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2026, 21:45 | Politikë

VENDIMI: Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra, shkruan A2.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Njoftim i Gjykatës Kushtetuese

NJOFTIM VENDIMMARRIEJE/ Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegji personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojtë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushteti ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetëve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imunitetëve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyq edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetave, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos