
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar lidhur me qëndrimet dhe deklaratat e fundit publike, duke shprehur shqetësim për një rritje të ndjeshme të presionit ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, si dhe për deklaratat që ndikojnë në informimin e opinionit publik, të cilat thekson KLGJ cenojnë të drejtat njerëzore të gjyqtarëve, por rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor. Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore. Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor”, njofton KLGJ.
KLGJ thekson se qëndrime të tilla dëmtojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Në përmbushje të detyrës së tij kushtetuese, KLGJ shprehet se mbetet në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve të shmangin deklarata që synojnë ose mund të ndikojnë në veprimtarinë e drejtësisë.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendjen e opinionit publik se respekton misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër pret që edhe media të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, të cilat cenojnë figurën e gjyqtarit. Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”.
KLGJ rikujton se në një shoqëri demokratike gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit dhe se ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur, i çliruar nga çdo formë ndikimi dhe i mbështetur vetëm në Kushtetutë dhe në ligj. (A2 Televizion)