Argumentimi për pezullimin, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin pa vendim për Ballukun

Nga Anesti Barjamemaj
3 Mars 2026, 18:33 | Politikë

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për Belinda Ballukun, duke i dhënë fund një debati juridik të nisur që në muajin nëntor të vitit të shkuar, nëse një ministër mund të pezullohej apo jo nga detyra.

Sipas mendimit të disa anëtarëve të Gjykatës, masa e pezullimit nuk lidhet thjesht me pasojat individuale, por është në kufijtë e ushtrimit të funksionit gjyqësor dhe sferës së kompetencave të pushtetit ekzekutiv.

“Gjykata vëren se, ndonëse Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht një kompetencë të Kryeministrit ose të ndonjë organi tjetër për pezullimin nga detyra të një ministri, masa ndaluese e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe e vendosur nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë, në kuadër të një procedimi penal, për nga natyra dhe efektet e saj konkrete, duket se ka sjellë efekte institucionale, si në ushtrimin e funksioneve kushtetuese të ministrit, ashtu edhe në funksionimin e Këshillit të Ministrave”. 

Trupa kushtetuese bën një argumentim shterues sa i takon veshjes me imunitet të një deputeti dhe ministri, por kjo mburojë ligjore, sipas tyre, nuk duhet të përdoret për privilegj individual apo një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal: “Çdo interpretim që do të zgjeronte fushën e mbrojtjes përtej asaj që parashikon shprehimisht Kushtetuta do të cenonte ekuilibrin kushtetues ndërmjet pushteteve, duke krijuar një trajtim të privilegjuar të papajtueshëm me parimin e barazisë përpara ligjit, pa përligjje të arsyeshme dhe objektive. Një qasje e tillë do të binte ndesh me vetë logjikën e shtetit të së drejtës, i cili kërkon që përgjegjësia dhe llogaridhënia të jenë elemente thelbësore të ushtrimit të funksioneve publike”.

Sa i takon interpretimit, nëse një ministër mund të pezullohet pa ndërhyrjen e Kuvendit, trupa kushtetuese pohon se kjo mund të bëhet: “Masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike, sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj një ministri nuk mund të kërkojë autorizim paraprak të Kuvendit dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit”.

Por, edhe në këtë vendim dalin në pah ndasitë mes anëtarëve të trupës kushtetuese, ku herë-herë mendimet e janë diametralisht të kundërta. Mendimi paralel i dy anëtarëve Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi rrëzon totalisht kërkesën e Kryeministrit për të interpetuar përplasjen e kompetencaveme GJKKO. Sipas dy anëtarëve, vendimi për pezullim është e drejtë e Gjykatës së Posaçme dhe asnjë pushtet tjetër nuk mund të ndërhyjë në të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos