Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me një propozim të PS-së, për një ndryshim në një nen të Ligjit për Investimet e Huaja të vitit 1993, që pritet të diskutohet në Komisionin e Ekonomisë. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku e cilëson këtë nismë si një “arnim socialist” dhe një përpjekje për të kopjuar draftin e propozuara nga PD.
Sipas Tabakut projektligji i depozituar pak muaj më parë në Kuvend nga PD synon të mbrojë sektorët strategjikë të vendit nga investime që vijnë nga aktorë të tretë.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
Arnimi socialist për Investimet e Huaja
Prej disa muajsh, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një projektligj të plotë dhe serioz për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja, në përputhje me standardet e OECD, BE-së dhe SHBA-së.
Ky projektligj synon:
Të mbrojë interesin kombëtar nga investime që mund të vijnë nga aktorë të tretë me qëllime jo-strategjike.
Të sigurojë transparencë dhe përgjegjshmëri në çdo proces që prek sektorët strategjikë të ekonomisë.
Me një nxitim të dyshimtë, një deputet i shumicës paraqiti një “propozim” që nuk është gjë tjetër veçse një arnim amator dhe një kopje e zbehtë e projektligjit të propozuar nga PD. Arnimi shton një pikë të vetme në një ligj të vitit 1993.
Gjatë prezantimit të propozimit ligjor dëgjova të përmendej OECD, ndryshe nga sa u fol në atë mbledhje OECD kërkon:
• Ligj të qartë dhe të përditësuar
• Proces transparent dhe të strukturuar
• Komunikim institucional të qartë
• Shmangie të çdo “vetingu të fshehtë”
Të gjitha këto mungojnë në draftin e propozuar nga mazhoranca!
Ky arnim nuk është reformë dhe aq më pak një proces parandalues ndaj rreziqeve që mund t'i vijnë vendit tonë. Në të kundërt është tentativë për të larë duart si Ponc Pilati përpara një çështjeje serioze, që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë tonë kombëtare dhe partneritetin me BE-SHBA.
Shqipëria nuk ka luksin të jetë porta e pasigurisë në rajon.
Partia Demokratike do të vazhdojë të kërkojë miratimin e projektligjit që garanton standarde dhe mbrojtje për qytetarët dhe ekonominë. Propozimit ligjor që ofron sigurinë maksimale nga aktorë të jashtëm të rrezikshëm. (A2 Televizion)