Sali Berisha publikoi një video që, sipas tij, vërteton të ashtuquajturën masakër elektorale. Kreu i Partisë Demokratike pohoi se ky insert me titra anglisht është paraqitur nga deputetja Albana Vokshi përpara grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët sipas Berishës janë tronditur.
“Një person merr katër fletë votimi. E patë? Përsëri! Kjo është fytyra e votimit. Aty rri dhe e udhëzon, komisionerja. Gjatë ditës, komisionerët votojnë në emër të zgjedhësve. Nuk kamë sekret të votës – të gjitha i kontrollon komisioneri ose voton vetë ai. Komisioneri në dhomën e fshehtë duke orientuar.”
Përpos betejës së opozitës, Berisha theksoi se zgjidhja e vetme për të larguar këtë qeveri mbetet në dorën e qytetarëve.
“Përgjigjja dhe zgjidhja është vetëm tek shqiptarët, në dorën e tyre. Do të tolerojnë ata një poshtërim të tillë? Do të tolerojnë një qeveri legjitimiteti i së cilës nuk ekziston, pushteti i së cilës bazohet në një farsë të turpshme elektorale, apo do të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si njerëz të qytetëruar? Unë besoj tek e dyta. Këtu qëndron Partia Demokratike, e cila kurrë nuk do t’i pranojë këto zgjedhje.”
Depolitizimi i administratës zgjedhore, duke larguar njerëzit e partive nga sistemi i monitorimit dhe numërimit, është një nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Por Berisha nuk pranon t’ia dorëzojë kontrollin administratës shtetërore dhe bën një krahasim me vetingun në drejtësi.
“Nëse ka një administratë që nuk mund t’i bëjë këto gjëra, sepse është tërësisht patronazhiste, ajo është administrata shqiptare. Ajo duhet parë dhe studiuar më herët. Pse? Kur miratohej ligji i vetingut, unë – me njohuritë që kisha për gjendjen në Shqipëri – thosha: do të krijoni një vakum, do të asgjësoni procesin gjyqësor. Sot e shihni vetë. Ka kaq shumë njerëz... njerëz të korruptuar, të turpshëm, sepse ata u bënë promotorë të asgjësimit të drejtësisë për shqiptarët. Sot nuk ka më njerëz.”
Berisha pohoi gjithashtu se provat për atë që ai e quan masakër elektorale do të dërgohen në Kongresin dhe Senatin Amerikan, në parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe në institucionet ndërkombëtare përkatëse. (A2 Televizion)