
Burime për A2CNN bëjnë me dije se në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk e përjashton Erion Veliajn “për arsye humane”.
“Nuk e përjashtoj Veliajn se ai i ka duart e lidhura dhe pikërisht për arsye humane nuk merrem”, është shprehur Rama.
Mësohet se gjatë mbledhjes, Rama ka informuar anëtarët e Asamblesë që Plarent Ndreca, pasi fliste me të, shkonte dhe e gënjente Veliajn në burg. Gjatë fjalës, Rama e ka pranuar që ka shkuar Toni Gogu, si mik i familjes, si pastori që e martoi, që ta sqaronte për të gjithë situatën, por, sipas Ramës, Veliaj i ka deformuar fjalët e ministrit.
Sa i përket Erion Braçes, mësohet se Rama është shprehur se para dy vitesh i ka propozuar postin e Ministrit të Bujqësisë, por Braçe nuk ka pranuar.
“Dhe unë e pranova vendimin e tij”, mësohet të ketë thënë Rama.
Ndërkohë, Pandeli Majko është treguar pesimist. A2 CNN mëson se gjatë fjalës së tij ai është shprehur se “askush këtu në Asamble nuk ka guxim ta thotë, edhe pse e mendon, që Tiranën e kemi të humbiur”.
Edi Rama mësohet ta ketë kaluar me sportivitet, duke ju përgjigjur që “me ketë që po thua, po na motivon?!”.
(A2 Televizion)