Asambleja ende pa një datë, Rama mban në ankth socialistët për qeverinë e re

Nga Fjorela Beleshi
18 Gusht 2025, 14:45 | Politikë

Socialistët po shijojnë javën e fundit të pushimeve zyrtare të verës, përpara se të njihen me ndryshimet që Edi Rama ka menduar për qeverinë e katër viteve të ardhshme. Kësaj here ai ka vendosur t’i lërë të gjitha për në fund të verës, duke mbajtur në ankth socialistët, shkruan A2 CNN.

Në ditën e fundit të korrikut, Kryeministri Edi Rama mblodhi kabinetin qeveritar për t’i çuar me pushime dhe për t’u lënë takim në fund të gushtit. Por situata e rënduar me zjarret dhe dëmet që ato shkaktuan la në punë disa prej ministrave, të cilët duhet të ishin në krye të detyrës për të menaxhuar situatën.

Të tjerët shfrytëzuan ditët e nxehta të gushtit për të marrë rreze në plazhet e Shqipërisë, pasi ministrat janë të detyruar që të pushojnë në vend. Si të rinjtë socialistë, ashtu edhe të vjetrit, rrjetet sociale i kanë shfrytëzuar për punët e qeverisë, duke publikuar aksionet për lirimin e hapësirave publike deri tek menaxhimi i situatës me zjarret.

Në krye të detyrës apo me pushime, të gjithë kanë qenë me një sy dhe një vesh nga vila qeveritare në Dhërmi, për të kuptuar sa më shumë sinjale për zhvillimet e ardhshme politike. Një pjesë e ministrave presin rikonfirmim, socialistë të tjerë presin promovim në strukturat e qeverisjes apo në ato partiake. Por e përbashkëta është se asnjë nuk e ka të sigurt se ku do të shërbejë politikisht katërvjeçarin e ardhshëm.

Sipas traditës politike, të majtët presin Asamblenë, e cila tani do të mbahet në fund të gushtit, ku Kryeministri do të lajmërojë kabinetin Rama 4, ndryshimet në parti dhe në grupin parlamentar. Deri në takimin e radhës, socialistët kanë nisur të bëjnë kalkulimet e tyre nëse angazhimi në parti mund të shpërblehet me një post në selinë e qeverisë, sidomos ata që nuk ja dolën të rinovonin mandatin e deputetit me 25 prill.

Edhe deputetët që u pyetën në parlament, e kanë pranuar pasigurinë. Nga viti 2013 e deri më sot, në krye të renditjes si ministrat më afatgjatë të kryeministrit Rama qëndrojnë Mirela Kumbaro me më shumë se 9 vite dhe Ogerta Manastirliu me 8 vite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos