Flutura Açka, ish-deputete e Partisë Demokratike, në një lidhje direkte me “Ditarin” në A2 CNN, kritikoi Rithemelimin në PD, duke e cilësuar si “uzurpim”.
“Ai që quhet Rithemelim, në fakt ishte një mënyrë uzurpimi, një mënyrë të shprehuri të forcës se kush e dominon partinë. Sigurisht që në këtë luftë do të fitonte zoti Berisha. Nuk ka njeri dyshime se është më i zoti dhe më karizmatiku. Në luftën e tij personale, zoti Berisha është në të drejtën e vet, por pyetja është: a është kjo ajo që duhet të ndodhte me Partinë Demokratike? Ja dhanë edhe një mundësi demokratët, por duhet të kishte një reflektim”, tha Açka.
“Nëse do të vazhdohet kështu, që mirë jemi kështu siç jemi në opozitë... Mirë je sepse je drejtues i opozitës, por nuk është kjo ajo që do të donte PD-ja. Ky Rithemelimi ka qenë thjesht alibi mbi alibi për të kamufluar kontrollin e partisë. Po qe çështja për pronësinë e partisë, atëherë nuk jemi në kufijtë e demokracisë. Nëse kjo është ajo çka mëton kjo parti, atëherë nuk është Parti Demokratike sepse i bie që nuk është parti që kupton reformimin. Në humbje askush nuk mban përgjegjësi. Ai grup që qëndroi në mes, për të krijuar një farë ure mes dy fraksioneve, u shit shumë lirë. Heshtja e disa figurave të rëndësishme tregon që gjithçka ka ndodhur me vetëdije të plotë”, shtoi Flutura Açka.
(A2 Televizion)