Berisha paraqitet në SPAK: Gjeta Elvis Doçin duke dekoruar Altin Troplinin si president nderi të kartelit

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 10:27 | Politikë

Berisha paraqitet në SPAK: Gjeta Elvis Doçin duke dekoruar Altin

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK-ut, teksa u paraqit për zbatim të masës së sigurisë, duke e cilësuar si të lidhur ngushtë me botën e krimit.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në ambientet e këtij institucioni ka “gjetur” Elvis Doçin, të cilin e akuzoi se po dekoronte Altin Troplinin si “president nderi i kartelit Troplini”, për “bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj tij”.

“Shqiptarët duhet ta dinë se ky institucion, megjithëse ka njerëz të ndershëm, ka edhe kriminelë më të rrezikshëm se Troplinët dhe Çelët. Nga bilanci i një gazetari investigativ del se 250 urdhër-arreste nuk janë ekzekutuar, sepse si në rastin e Elvis Doçit, janë mbajtur peng dhe krerët e karteleve janë lajmëruar që të mos kapeshin. Për bosët, ekzekutimi i mandateve të arrestit nuk shkon as në 10%”, u shpreh Berisha.

Ai tha më tej se ndërsa SPAK raporton se ka kapur 17 tonë drogë, informacionet ndërkombëtare flasin për 34 tonë kokainë që kanë qarkulluar në duart e karteleve shqiptare në vetëm dy javë, me një vlerë prej 6.5 miliardë eurosh, ndërkohë që asnjë gram nuk është kapur në Shqipëri, shkruan A2 CNN.

“Padrinot janë të lirë, jetojnë në Xhafzotaj, në territore ku policia nuk futet. Ata vazhdojnë të jetojnë qetë, njësoj si Suel Çela që bënte terror në Elbasan për zgjedhjet, ndërsa Altin Troplini dezinformonte të huajt se ai ishte në Dubai”, akuzoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos