Berisha: Rama sulmoi egërsisht një prokurore dhe një gjykatës, KLGJ dhe KLP nuk thanë asnjë fjalë

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 10:49 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për mungesën e reagimit pas sulmeve të Kryeministrit Edi Rama ndaj një prokuroreje dhe një gjykatësi disa ditë më parë.

“Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës. Dhe pas prokurores Gjeli që nuk la turfullim pa bërë kundër saj, iu vërsul një gjykatësi tjetër, në mos gabohem, Balliu mbiemër, për fajin e vetëm që ky gjykatës me karakter për ligjin, kishte zbatuar pikë për pikë vendimin e qeverisë.

Ky gjykatës, në përputhje me vendimin, i cili i njihte shkelësit e ligjit të drejtën e parablerjes me firmë të Edi Ramës, kishte vendosur masën e sigurisë, sepse Edi Rama pavarësisht nga pafytyrësia e tij, kërkonte që gjykatësi të mbajë dy standarde, njëherë ta zbatojë dhe njëherë të mos e zbatojë. Tani ky, i vërsulet gjykatësit, një djalë i ri ai, me fjalët e një ordineri, jo të një kryeministri, jo i pacipë, jo këto e ato”, tha Berisha pasi doli nga SPAK, ku ishte paraqitur në zbatim të masës së sigurisë.

“A dëgjuat ju, dy sulme të egra, a dëgjuat ju një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë, të cilat detyrimisht duhet të merrnin në mbrojtje këto individë sepse kishin zbatuar ligjin. Asnjë fjalë, heshtje varri. Ndërkohë që kur unë denoncoja lidhjet me krimin të Altin Troplinit, ata lëshonin kilometra deklarata në mbrojtje të Gjokës apo Troplinit”, shtoi ai.

Në fillim të korrikut, Rama kritikoi prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli për mënyrën se si kishte trajtuar çështjen e ndërtimeve të ngritura në Theth, të cilat u prishën pas aksionit të IKMT-së. Kryeministri tha se Gjeli duhet të kishte nisur një çështje penale dhe paralajmëroi kallëzim ndaj saj dhe të gjithë Prokurorisë së Shkodrës pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Elsa Gjeli reagoi, duke dërguar një shkresë për KLP-në, ku kërkonte mbrojtje për pavarësinë e magjistraturës dhe ishte e gatshme të përgjigjej para çdo institucioni.

Më 1 gusht, Rama kritikoi gjyqtarin e Gjykatës Administrative, Hazbi Balliu, për një vendim që kishte të bënte me sigurimin e një pallati të konfiskuar, vendim që, sipas Ramës, ishte absurd duke marrë parasysh legjislacionin që ai vetë kishte miratuar më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos