Spiropali në Emiratet e Bashkuara Arabe: Agjendë e pasur me projekte strategjike, së shpejti hapet ambasada në Tiranë

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 15:19 | Politikë

Spiropali në Emiratet e Bashkuara Arabe: Agjendë e pasur me projekte

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë Ndërkombëtar, Forumin Sir Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë qëndrimit të saj në EBA, Spiropali u prit në një takim nga Lartësia e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të EBA-s, i cili organizon edhe forumin e nivelit të lartë.

Spiropali e cilësoi zyrtarin e lartë të Emirateve, një mik të nderuar të Shqipërisë, duke theksuar se "dy vendet tona nuk i bashkon më thjesht dhe vetëm marrëdhënia miqësore dhe vlerat e përbashkëta, por një agjendë e pasur bashkëpunimi."

Në takim u fol ndër të tjera edhe për hapjen e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë, për çuarjen përpara të projekteve strategjike në infrastrukturë, energji, inovacion, turizëm e fusha të tjera interesi të ndërsjelltë.

Spiropali u takua edhe me Ministren për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkëlqesinë e saj, Reem Bint Ebrahim Al Hashimy.

Në fokus të takimit ishte vijueshmëria e projekteve madhore si projekti transformues i Portit të Durrësit, Linja e Interkonjeksionit Energjitik mes Shqipërisë, Italisë dhe EBA, projektin Smart City për rritjen e sigurisë në hapësirat publike dhe të tjera bashkëpunime, shenjë e partneritetit të shkëlqyer mes dy vendeve tona. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos