
Partia Demokratike do të organizojë një protestë kombëtare kundër qeverisë, në datën 22 dhjetor. Kështu tha kreu i saj, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë këtë të shtunë, përcjell A2 CNN. “Me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira. Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD”, tha Berisha.
Berisha i quajti zhvillime të paprecedenta në 32 vitet e fundit ngjarjet e ditëve të fundit, që përfunduan me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme që pezullonte nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku.
Duke folur në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha tha se gjithsesi ajo që ndodhi ishte e pritshme. “Për herë të parë në 32 vite, kreu i qeverisë kalon në sulm të hapur kundër ndëshkimit të korrupsionit. Në rastin në të cilin ai vetë ka ndarë paratë. Akti i tillë është ndër më të pashembullt, nuk them se është më i pashembullti në botë, se bota ka autokratë dhe Edi Rama nuk është i vetmi, por në një vend që aspiron, se i lirë nuk është Shqipëria, por që aspiron integrimin europian, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë. Në qoftë se lexoni arsyetimin e shumicës dje, është identik, fjalë për fjalë, mishëron në një deklaratat e kryeavokatit Edi Rama, sepse ata vendosin pezullimin e pezullimit. Sepse ata marrin përsipër anulimin e procesit ligjor të animimit në shkallët e tjera të procesit gjyqësor. Sepse ata morën të mirëqenë pretendimin e Edi Ramës se qeveria paralizohet”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Kreu i opozitës e quajti absurditet vendimin e Kushtetueses. “Qeveria nuk pezullohet as me një zëvendëskryeministër, as me tre, as me pesë ministra. Këshilli i Ministrave vendos me shumicë. Dhe këto pretendime të Edi Ramës janë pretendimet e një njeriu që është kapur duke vjedhur dhe do të mbrojë paratë e tij. Pra, shuhet çdo shpresë se nëpërmjet pushtetit gjyqësor mund të luftohet realisht korrupsioni”, shtoi ai. (A2 Televizion)