
Seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar po shoqërohet me tensione dhe replika të forta, teksa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla akuzoi PD-në për qëndrimin e saj ndaj protestës dhe mbrojti veprimet e Policisë së Shtetit.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla deklaroi se mazhoranca nuk do të tolerojë asnjë akt dhune ndaj efektivëve të policies, ndërsa u shpreh se PD është parti e përdhunuar nga protesta.
“Jeni parti e përdhunuar nga ajo protestë. Por ne kurrësesi për asnjë moment s’do të tolerojmë që të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vet shtetit. Kush guxon të ngrejë dorë mbi punonjësit e Policisë së Shtetit ngre dorë mbi vet shtetin. Policia po e bën detyrën e vet në mënyrë të shkëlqyer. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta, prandaj nuk distancoheni. Z.kryetar Kuvendi duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër policisë”, u shpreh Balla.
Pas kësaj deklarate, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i tërhoqi vëmendjen Ballës për përdorimin e një fjalori të papërshtatshëm gjatë fjalës së tij.
Nga ana tjetër, deputetja demokrate Ina Zhupa reagoi duke akuzuar Ballën për standarde të dyfishta në raport me Policinë e Shtetit. Ajo kërkoi që gjuha e përdorur nga Balla të mos kalojë thjesht me një tërheqje vërejtje.
“Nuk kalon me një vërejtje personi që u ka hipur Policisë së Shtetit mbi koka dhe ka dhunuar policinë në opozitë”, tha Zhupa.
(A2 Televizion)