
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi në fjalën e mbajtur në Kuvend, kërkoi që Policia e Shtetit të ndalë atë që ai e konsideroi si dhunë ndaj qytetarëve që po protestojnë jashtë Parlamentit. Sipas Bardhit janë dhunuar të rinj dhe të moshuar, duke përdorur ndaj tyre mjete disproporcionale nga ana e "uniformave blu".
“Së pari do dua që Kuvendi t’i kërkojë Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë godinës së Kuvendit. Është e papranueshme që godina e Kuvendit është rrethuar sot në një perimetër të zgjeruar nga forca sigurie, a thua se qytetarët tanë na rrezikojnë ne jetën. Nuk justifikohet përdorimi i dhunës dhe i mjeteve disproprocionale ndaj protestuesve. Në emër të Kuvendit nuk e nderon ajo që po bën Policia e Shtetit Kuvendin e Shqipërisë. Askush prej nesh s’duhet të ndihet i rrezikuar nga kritikat dhe kërkesat e qytetarëve, ne duhet t’i marrim seriozisht ato, dhe t’i bëjmë pjesë të programit të punës. Kanë kërkuar shfuqizimin e disa ligjeve, duhet t’i shqyrtojmë me urgjencë, dhe jo të rrimë në heshtje, kur atje të moshuar dhe të rinj po dhunohen nga punonjës të Policisë së Shtetit”, tha Bardhi. (A2 Televizion)