Balla për ndëshkimin e demokratëve: PD në stinën e dhunës, para ligjit të gjithë të barabartë

Nga Ornela Joti
2 Tetor 2024, 23:27 | Politikë

Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla, ka reaguar për situatën e krijuar së fundmi në Parlament. I ftuar në A2 CNN, Balla ka ironizuar opozitën ndërsa deklaroi se dhuna është pjesë e politikës së demokratëve drejtuar nga Sali Berisha.

Pas ndëshkimit të 24 deputetëve demokratë nga Komisioni i Etikës, Taulant Balla tha se çdo shkelës i ligjit do të ndëshkohet. Ndërsa në lidhje me kërkesën e përsëritur të demokratëve për qeveri teknike, Balla u shpreh se Partisë Demokratike do t’i duhet të kalojë testin me qytetarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Qofsh Mbret, kryeministër apo deputet, para ligjit jemi të gjithë njëlloj. Kushtetuta thotë që qeverinë në Shqipëri e bëjnë 71 deputetë. Pra, kush ka shumicën absolute. Që të bësh qeverinë, duhet të të votojë populli”, deklaroi Balla.

Ministri i Shtetit për Parlamentin është shprehur edhe për çështjen e deputetes Olta Xhaçka, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: “Për të njëjtin kazus, ke një vendim të vitit 2016 ndryshe, një të 2015 ndryshe, një në 2023, një në 2024... të gjendur në këtë situatë edhe unë kam abstenuar. Të votoja pro, bija në kundërshtim me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të votoja kundër bija në kundërshtim me vendimin tjetër të Gjykatës Kushtetuese, prandaj votova abstenim sepse kam bindjen që zgjidhjen e kam te interpretimi nga Venecia”.

Njëherësh drejtues politik për diasporën, Taulant Balla tregoi se afro 1,7 milionë shqiptarë të diasporës do të votojnë përmes postës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos