Noka pas përjashtimit nga Kuvendi: Mosbindja civile, e vetmja rrugë për të rrëzuar qeverinë

Nga A2 CNN
2 Tetor 2024, 21:13 | Politikë

Mosbindja civile është e vetmja rrugë e opozitës për të rrëzuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet. Kështu u shpreh në Debatin me Alba Alishanin në A2 CNN, deputeti i PD-së Flamur Noka, pak orë pas përjashtimit për 60 ditë nga Kuvendi. Në A2 Ai tha se në këtë situatë që është vendi, opozitës i ka mbetur vetëm një rrugë, teksa tregoi se çfarë do të ndodhë nesër në kuvend por edhe për protestën e 7 tetorit.

“Gjithmonë ka skenar. Ta harrojnë se do ta gjejnë opozitën pa skenar. Mosbindja civile është e vetmja rrugë që Shqipëria të shpëtojë. Ky regjim duhet rrëzuar. Shqipëria po shpopullohet, varfërohet. Ky po tallet. Nuk ka poshtërim më të madh që u bën shqiptarëve. Ne jemi me qytetarët e për qytetarët dhe rrugë tjetër nuk ka. Ne do të bëjmë gjithçka deri sa ta rrëzojmë. Ky nuk është me votat e shqiptarëve, por me votat e krimit të organizuar, e parave të drogës, me votat e parave të korrupsionit. Opozita ka fjalën. Mos prisni ta shihni me kallash e blinda, do vijë në pushtet me mosbindjen civile. Nuk dorëzohemi se kemi një rrugë dhe në këtë situatë nuk ka rrugë tjetër. kur vota nuk numërohet por vidhet e shantazhohet. Ajo që do bëjmë në datën 7 është vetëm mosbindja civile”, tha Noka në A2.

Në lidhje me përjashtimin e tij dhe 23 kolegëve demokratë nga Kuvendi, ai ripërsëriti edhe deklaratën e tij të mëhershme, teksa zhvillohej mbledhja e komisionit të etikës, se Rama i ka shpallur luftë opozitës, ndërsa solli në vëmendje pushkatimin e 24 deputetëve nga regjimi komunist.

“Regjimi i narkos që sundon në Shqipëri e sheh opozitën si armik dhe drejtuesit e saj janë kryearmiqtë e regjimit. Gjen mënyra të ndryshme për t’i shpallur dhe bashkëpunëtorët armiq.  Më 1946 u pushkatuan grupi i deputetëve, 24 deputetë u pushkatuan dhe në atë kohë. Është urrejtja e Ramës ndaj opozitës, e cila mbron parimet dhe demokracinë. Narkosi që po instalohet i ka shpallur luftë opozitës”.

Sipas Nokës në këtë vend nuk ka mbetur asgjë demokratike, pasi drejtuesve të opozitës sipas tij “Rama u ka turrur SPAK-un”. Në A2 ai u shpreh i vendosur se do të qëndrojnë përballë regjimit.

“Me mjete demokratike mbrojti Berisha demokracinë dhe luftoi korrupsionin e krimin e organizuar. Përgjigjja antidemokratike ishte i suli skapin. Me mjete demokratike po lufton Meta, por përgjigjja është aspak demokratike. Edhe Mediu, por i turri skapin. Me mjete demokratike denoncoi një trafikant droge Salianji, dhe sot po burgoset. Çfarë ka ngelur demokratike? Dhe çfarë është antidemokratike në sjelljen e opozitës? Unë e njoh parimin kristian: Kur të bien në një faqe duhet të kthesh tjetrën. Por regjimit i qëndrohet përballë dhe rrëzohet  nuk ka asnjë rrugë tjetër. Më i egri është i drogës dhe krimit të organizuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos