
Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, teksa i kaloi sot stafetën Enea Karakaçit në krye të MIE, theksoi se nuk ka patur kurrë lidhje me korrupsionin dhe nuk e ka penguar kurrë drejtësinë që të bëjë punën e saj.
Balluku vuri në dukje se beson te drejtësia e re dhe nuk do përmendë kurrë gjyqtarë apo prokurorë. Po ashtu ajo përgënjeshtroi aludimet se zotëron 300 apartamente, apo jahte, helikopterë dhe limuzina, duke u shprehur se të gjitha akuzat janë pjesë e një “gjyqi publik”, me të cilin ajo është rritur.
“Kam vendosur ndryshe nga shumë të tjerë të mos analizoj, të mos shaj, anatemoj, dhe të jem konsistente në qëndrimin tim sa i përket drejtësisë. Nëse do t’u ktheheni deklaratave të mia për drejtësinë, nuk do gjeni kurrë asnjë deklaratë që të kundërshtojë tjetrën. Por unë besoj se drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Unë besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Ramës dhe PS, si produkt i një Shqipërie Europiane duhet të vazhdojë të jetë frymëzimi i këtij vendi, pasi ajo reformë u krye për t’u kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Unë besoj te kjo drejtësi dhe s’do më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur godet kundërshtarët e mi politikë, dhe as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mia personale”, tha Balluku.
“Nuk do më dëgjoni kurrë të përmend prokurorë e gjyqtarë, pasi unë besoj se ata duhet të bëjnë detyrën si unë dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar, pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, gjysmë të vërtetat, të pavërtetat dhe gënjeshtrat. Unë s’kam dhe s’kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe nxis, që hetimi që ka nisur prej muajsh ndaj meje, dhe s’e kam penguar kurrë, si ministre, zv.kryeministre, apo si qytetare e lirë, të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. S’kam as 300 as 30 dhe as 3 apartamente, as një e as dy jahte, as limuzina, as helikopterë dhe avionë, por të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që fatkeqësisht bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend. Por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqe publike”, vijoi ajo.
Kujtojmë që Balluku u shkarkua si zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që ka një hetim nga SPAK, që i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të saj si deputete. (A2 Televizion)