
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, pasi 7 ministrat u betuan te Presidenti Bajram Begaj.
Pasi vendosën dorën mbi Kushtetutë, ministrat morën dritën jeshile për të hyrë në zyrë. Vullneti i Edi Ramës për të ndryshuar kabinetin qeveritar nuk u vu në dyshim nga Bajram Begaj, i cili 48 orë pasi takoi kryeministrin, dekretoi ndryshimet.
Belinda Balluku dorëzoi të dyja pozicionet në Këshillin e Ministrave, ku atë të zëvendëskryeministres e mori Albana Koçiu, ndërsa Ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë u bë Enea Karanaçi.
Pirro Vëngu dhe Elisa Spiropali u larguan nga qeveria, ku Ministrinë e Mbrojtjes e mori Erman Nufi ndërsa Punët e Jashtme diplomati Ferit Hoxha.
Pjesë të ndryshimeve qeveritare ishin edhe rokadat e brendshme kur Besfort Lamallari i dorëzoi Toni Gogut Ministrinë e Drejtësisë për të marrë Ministrinë e Brendshme.
Ndërsa Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin do ta drejtojë Erjona Ismalili.
(A2 Televizion)