Sjellja banale në Kuvend me Ballën, Tabaku: Në fund të ditës kemi familje

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 14:34 | Politikë

Jorida Tabaku komentoi në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN incidentin e ndodhur të enjten në Parlament ku kreu i grupit socialist Taulant Balla, ofendoi deputeten e opozitës Albana Vokshi. Fjala e  Ballës në Parlament, u shoqërua me reagim shumë të fortë të opozitës, ku Balla i drejtohet deputetes Albana Vokshi duke i thënë “për ty kam numrin 0900”.

Për këtë situatë, zonja Tabaku u shpreh që fyerjet personale janë të gabuara dhe se këto situata ndikojnë edhe te familjarët. “Unë di të them që në fund të ditës edhe ne jemi njerëz. Në fund të ditës edhe ne jemi individë që kemi familjet tona që shqetësohen për ne, shqetësohen për punën tonë, shqetësohen për presionin psikologjik dhe është e tepërt”, tha ajo.

Tabaku gjithashtu ndau një eksperiencë të sajën, ku u përball me fyerjet e kryeministrit Rama, kur drejtonte komisionin hetimor për çështjen e inceneratorëve. “Kam qenë dhjetë orë përpara kryeministrit ku kam duruar edhe ironinë dhe bullizimin dhe fyerjet. Po nuk kam çeduar një sekondë të vetme. Një sekondë të vetme nuk kam çeduar. Është e tepërt kjo arroganca e pushtetit që po përmblidhet kështu edhe shfaqet aty në sallë. Për mua është e tepërt”, tha deputetja demokrate.

Ajo bëri thirrje për respektimin ndaj grave, duke bërë një lidhje edhe me 8 marsin, duke cilësuar që sjellja e mirë ndaj grave duhet të bëhet çdo ditë. “Meqenëse ndodhemi edhe në prag të 8 marsit, dua të them që gratë dhe vajzat kanë nevojë për një sjellje normale çdo ditë, jo atë 8 marsin neve t'i japim një lule dhe t'i bëjmë një gëzuar”.

Grupi opozitar i Partisë Demokratike ka bërë një kërkesë për përjashtim 60 ditor nga parlamenti për Ballën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos