E ftuar në emisionin “Puls” në A2 CNN, Jorida Tabaku foli strukturën partiake të PD-së dhe rivitalizimin e saj, duke shtuar emra të rinj. Ajo nënvizoi rëndësinë e mendimit ndryshe brenda opozitës, por njëkohësisht theksoi rëndësinë e bashkimit të fraksioneve demokrate.
“Partia Demokratike ka struktura pafund. Unë s'po them që t'i heqim të gjithë e t'i zëvendësojmë të gjithë me të rinj, por duhet të ketë një hapësirë edhe për mendimin ndryshe për atë që vjen jashtë”, tha ajo.
Deputetja foli për korrupsionin në vend dhe lidhjen e saj me largimin e të rinjve drejt vendeve të tjera. “Po që nga biznesi deri tek fermeri, deri tek studenti, tek familja është një shembull se si korrupsioni e ka gërryer ekonominë shqiptare. Se ne kur diskutojmë për të rinjtë që janë larguar, kjo është arsyeja kryesore pse janë larguar të rinjtë, se përplasen me dyert e shtetit. Kur diskutojmë për biznese që mbyllen, kjo është arsyeja se përplasen me investitorë të huaj, sepse përplasen me dyert e shtetit dhe ekziston ky korrupsion që e ka kapur prej fyti”, tha Tabaku.
Ajo kritikoi politikën shqiptare duke kërkuar jo më ndërrimin e emrave në strukturat partiake dhe qeverisëse, por ndryshimin e mentalitetit. Ajo vuri theksin tek “karta morale sipërore”, si shumë të rëndësishme për një ofertë më të mirë politike.
“Ne ta harrojmë që ky sistem ndërrohet thjesht me ndërrime emrash. Ky sistem ndërrohet me një mentalitet komplet tjetër, me një ofertë politike, ekonomike komplet tjetër dhe me kartën morale sipërore, me një ofertë politike që është komplet ndryshe nga ajo që na ofron qeverisja. Janë ndryshuar kush e di se sa ministra financash. A ka ndryshuar politika e taksave? A paguan ti më pak taksa sot se ke një ministër tjetër financash? Nuk është çështje emrash kjo”. (A2 Televizion)