“Balluku pranon që Veliaj dëmtoi interesat e shtetit”, Këlliçi nxjerr shkresën: SPAK refuzon t'i shohë provat

Nga A2 CNN
10 Janar 2024, 11:32 | Politikë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza në drejtim të SPAK, sa i përket hetimeve për aferën e inceneratorit të Tiranës, duke thënë se “prokurori i çështjes refuzon të shohë provat që implikojnë kryebashkiakun Erion Veliaj”.

Referuar një deklarate të Belinda Ballukut dhe shkresave që janë shkëmbyer mes institucioneve kryesore që duhet të monitorojnë konçensionin e inceneratorit të Tiranës, Këlliçi nënvizon se zv.kryeministrja fakton në cilësinë e Autoritetit Kontrator, “se Erion Veliaj ka cenuar palën shtet”.

Sipas Këlliçit, do mjaftonte vetëm kjo fjali, që sot kreu i bashkisë së Tiranës, të ishte personi kryesor i hetuar për këtë aferë korruptive.

“Më datë 10 korrik 2023, Belinda Balluku i drejtohet me shkresë Erion Veliajt ku i thotë shprehimisht se dy anëtarët e Bashkisë Tiranë në NJZP, kanë bllokuar prej më shumë se dy vitesh punën e kësaj strukture. Dhe që ta kuptoni më qartë rëndësinë e kësaj strukture, po u lexoj një pjesë të shkresës. Kontrata Konçensionare “Për Ndërtim Lendfilli, Inceneratorit dhe Rehabilitimit të Vend depozitimeve Ekzistuese Tiranë dhe Prodhimi të Energjisë Elektrike”, monitorohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit, e cila është struktura administrative e ngarkuar për ndjekjen, zbatimin e kushteve dhe përgjegjësive kontraktuale, ushtrimin e mbikëqyrjes së vazhdueshme.

Kjo është struktura që duhet të monitoronte jo vetëm ndërtimin e inceneratorit që nuk ekziston, por dhe hallin e madh që kanë prokurorët e dosjes se ku kanë shkuar 120 milionë eurot, para të cilat sipas vetë prokurorëve të SPAK zbardhur në vendimin e gjykatës, kanë dalë me çanta kesh nga territori i Shqipërisë. Në fund të këtij dokumenti, Belinda Balluku nënvizon se: “Mosushtrimi i detyrave të NJZP, mungesa e pjesëmarrjes në takimet periodike dhe mosraportimi pranë Autoritetit Kontraktor, shkakton vonesa dhe problematika në realizimin e projektit, me rrezik cenimin e interesave të palës shtet.

Më tej, ish-rivali i Veliajt shprehet se kryebashkiaku është pronari real i inceneratorit të Tiranës, “i cili me urdhrat e tij ka bllokuar qëllimisht punën e strukturave monitoruese, në mënyrë që paratë të zhduken pa lënë asnjë gjurmë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos