Ministrat, drejtuesit politikë socialistë, kryetarja e Kuvendit, krerët e komisioneve parlamentare dhe drejtorët e drejtorive më të mëdha në vend, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama janë duke zhvilluar një mbledhje në Shëngjin, që do të zgjasë dy ditë dhe ku qeveria do të përcaktojë prioritetet e punës për vitin 2024.
Takimi duket se qëllimisht është zgjedhur të mbahet në Lezhë, aty ku porti i Shëngjinit dhe Gjadri janë përzgjedhur si dy pikat ku do të ngrihen qendrat pritëse për 36 mijë emigrantë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, nëse Gjykata Kushtetuese do të japë “OK”.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se Rama është kujdesur të qetësojë socialistët duke ju thënë që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, vetëm një muaj pasi i “kërcënoi” me këtë tezë.
Kujtojmë se më 11 dhjetor, Rama u kujdes t’i bënte një “dush” të ftohtë të vetëve, teksa në mbledhjen e grupit parlamentar shfaqi pakënaqësi ndaj angazhimit të dobët të deputetëve të majtë në komisione dhe seanca plenare dhe u kërkoi të reflektojnë në qasjen e tyre ndaj Parlamentit dhe vendimeve politike të PS.
Mbi prezencën e deputetëve në seanca plenare, mbledhje grupi e komisione por edhe takimet e ministrave me deputetët, ka pasur edhe në mbledhjen e sotme një diskutim të thelluar.
Burimet kanë zbuluar edhe fokusin e diskutimeve, të përqendruar në një larmishmëri temash, e ndalur në veçanti te mënyra si do të vijojë jeta parlamentare pas incidenteve dhe aksionit bllokues të opozitës.
Mënyra si do të zhvillohen seancat plenare tanimë që kreu i Rithemelimit Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, interpelancat dhe mocionet me debat kanë marrë po ashtu vëmendje në tryezën e diskutimeve.
Një listë e projektligjeve që janë depozituar në Kuvend dhe bilanci se sa janë hartuar prej qeverisë e sa prej deputetëve është hedhur po ashtu në tryezë, ndërsa ka pasur diskutime për performancën e deputetëve në debate publike, diskutime në komisione dhe prezenca në zonat elektorale.
Edhe buxheti e paketa fiskale e vitit 2024 ka marrë kohën e saj në diskutime, ndërsa është kërkuar angazhim për ligjet që dërgohen në Kuvend, të cilat duan shumicë të cilësuar, siç është amnistia për të burgosurit. (A2 Televizion)