Në më pak se 24 orë nga vendimi i Gjykatës që e zhveshi nga vula dhe logo e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndryshoi qëndrim sa i përket komentimit të drejtësisë. Nga selia ku ushtron ende aktivitetin politik deklaroi se nuk komenton vendimet e gjykatës, por këtë të mërkurë nga oborri Kuvendit pohoi se Apeli tregoi se kush bashkëpunon me Ramën.
“Distancim me Edi Ramën duhet të bëjnë ata që bëjnë pazare me Edi Ramën. Dhe kush bën pazare me Edi Ramën u tregua dhe nga vendimi i gjykatës”.
Sali Berisha, tashmë kryetar legjitim i Partisë Demokratike, pati një ftesë për të gjithë demokratët që të bashkohen me të, por me kushtin që të tregojnë që janë opozitarë. Kushte për bashkëpunim pati dhe Basha.
“Kushti që unë kam me këdo tjetër është distancimi i qartë jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me Ilir Metën”.
Basha u bëri dhe një sfidë kundërshtarëve të tij brenda radhëve të opozitës, duke kërkuar prej tyre prova se janë në krahun e qytetarëve dhe jo me qeverinë.
“Ka katër muaj që ka pushuar së ekzistuari komisioni bipartizan i Reformën Zgjedhore, për kalkulime të vogla brenda opozitës. Tani është momenti, që janë të çliruar nga ankth i logos dhe vulës, dhe t’i thërrasin mendjes dhe të thonë se ku e kanë çuar kauzën për zgjedhje të lira”.
Sa i përket të ardhmes së tij politike, Basha sërish u tregua i paqartë, duke lënë pa sqaruar cili do jetë fati i vet. EFEKT – Nuk kam asnjë shqetësim për fatin tim. (A2 Televizion)