Begaj uron shqiptarët në 113-vjetorin e Pavarësisë: Të çojmë në vend amanetin e të parëve, bashkë drejt BE

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 21:40 | Politikë

Begaj uron shqiptarët në 113-vjetorin e Pavarësisë: Të

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare dhe në Diasporë, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së pritjes për Ditën e Flamurit në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, Kreu i Shtetit u ndal te mesazhi i bashkimit kombëtar dhe orientimi i qartë drejt së ardhmes evropiane të vendit.

Në fjalimin e tij, Presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë e bashkimit të shqiptarëve për të përmbushur objektivin historik: anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm. Kemi hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe mbyllja e tyre deri në vitin 2027 është objektiv strategjik për shtetin”, deklaroi Kreu i Shtetit.

Ai bëri thirrje për më shumë bashkëpunim shoqëror e institucional, duke theksuar se rruga drejt BE-së kërkon unitet politik dhe kombëtar. “Le ta çojmë në vend amanetin e të parëve tanë dhe të ecim bashkë drejt integrimit evropian,” u shpreh Begaj.

Presidenti rikujtoi rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë “thelbësor për sigurinë dhe të ardhmen e kombit”.

“Shqipëria është sot faktor i besueshëm stabiliteti në rajon dhe aleate e palëkundur e NATO-s”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit vuri në dukje se viti 2024 shënon për herë të parë votimin e Diasporës, një zhvillim që ai e konsideroi vendimtar për përfshirjen e shqiptarëve kudo në botë.

“Ky është një hap historik që e bën shtetin më gjithëpërfshirës dhe demokracinë më të fortë”, u shpreh ai, duke vlerësuar rolin e shqiptarëve jashtë vendit si urë bashkëpunimi, investimesh dhe diplomacie kulturore.

Begaj uron shqiptarët në 113-vjetorin e Pavarësisë: Të

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj foli edhe për sfidat e brendshme, duke theksuar se pavarësia nuk është vetëm festë, por detyrim i përditshëm.

“Pavarësia matet me standarde: me funksionimin e drejtësisë, cilësinë e shërbimeve publike, besimin e qytetarëve tek institucionet dhe mundësitë që iu krijojmë të rinjve”, tha ai.

Begaj bëri thirrje për më shumë dialog politik dhe kulturë bashkëpunimi: “Interesi kombëtar duhet vendosur mbi atë partiak. Vetëm kështu kapërcejmë ndasitë që ngadalësojnë rrugën tonë evropiane.”

Në përmbyllje, Presidenti rikujtoi vlerat që përcollën firmëtarët e Pavarësisë. “Amaneti i etërve është i qartë: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë. Detyra jonë sot është një Shqipëri moderne, e drejtë dhe evropiane.”

Kreu i Shtetit e mbylli fjalën me urimin tradicional për Ditën e Flamurit: “Le të ngremë një dolli për flamurin kuq e zi, për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos