Kryeministri Rama për 'Die Presse': Do bëjmë gjithçka për të mos prekur pavarësinë e SPAK

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 14:35 | Politikë

Kryeministri Rama për 'Die Presse': Do bëjmë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për podcastin “East Side Stories” të medias austriake Die Presse, ku ka folur për një sërë çështjesh me rëndësi, përfshi edhe rrugëtimin drejt integrimit në BE të Shqipërisë.

Po ashtu Rama ka folur edhe për luftën kundër korrupsionit, përplasjet politike në SHBA midis Trump dhe Soros, si dhe investimet e mundshme në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner.

Teksa ka folur për punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe gabimet që mund të ndodhin gjatë hetimeve, Rama thekson se pavarësia e Prokurorisë së Posaçme nuk duhet të kompromentohet.

“Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që mund të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është aq e këndshme sa të shkosh në opera. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gabime? Sigurisht. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre”, tha Rama për median austriake, shkruan A2 CNN.

Kryeministri foli gjithashtu për angazhimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar mbështetjen e madhe të Komisionit Europian:

“A do të jemi si Austria brenda dy vitesh? Jo, aspak. Anëtarësimi lidhet me parime dhe kritere shumë të qarta që duhen përmbushur në tërësi. Por në këtë fazë nuk shoh asnjë rrezik për probleme serioze. Nuk e bëjmë këtë ‘detyrë shtëpie’ për t’i kënaqur ata. E bëjmë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë më evropiane, më demokratike”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Intervista pasqyron përpjekjet e qeverisë për të konsoliduar drejtësinë dhe për të avancuar reformat e BE-së si pjesë e strategjisë për anëtarësim brenda vitit 2030. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos