“Digjet” Adriatik Lapaj, Kolegji Zgjedhor i jep mandatin e deputetit Ana Dajkos

Nga Fjorela Beleshi
25 Gusht 2025, 14:34 | Politikë

Adriatik Lapajt i digjen të dy skenarët për mandatin e deputetit të koalicionit “Shqipëria Bëhet”. Në karrigen e parlamentarit të këtij subjekti nuk do të ulet as ai dhe as kushërira e tij Kleana Xhuveli, pasi Kolegji Zgjedhor në mënyrë unanime vendosi që mandatin duhet ta marrë e para e listës së mbyllur Ana Dajko, duke konfirmuar kështu vendimin e KAS.

Në seancën gjyqësore përfaqësuesja ligjore e Lapajt kërkoi që të shfuqizohej vendimi i KAS, për t’i lënë në fuqi vendimi e kryekomisionierit që ja dha mandatin e deputetit kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvelit, kandidatja e cila u tërheq nga dorëheqja, pas prishjes së rregullave të marrëveshjes së koalicionit me Endri Shabanin.

“Vendimi i KAS, tendencioz dhe politik! Deri në momentin qe mandati nuk është dhënë, kandidati mund të heqë dorë nga mandati! Vendimin i KAS për t’i dhënë mandatin e deputetit Ana Dajkos është i gabuar!”, tha përfaqësuesja ligjore e Lapajt.

Pretendimi u kundërshtua nga përfaqësuesja e KQZ, duke nënvizuar edhe faktin që “Shqipëria Bëhet” nga KAS në Kolegj ka ndryshuar edhe qëndrimin se kujt i takonte mandati.

“Në KAS është kërkuar tjetër gjë nga ajo që kërkohet sot. Në KAS është kërkuar që mandati t’i jepet Adriatik Lapajt! Dorëheqjet nuk mund t’i shqyrtojë KQZ por Kuvendi! Deklaratat e dorëheqjes janë të pavlefshme! Nëse zonja nuk e do mandatin  të mos bëjë betimin në Kuvend dhe vend i saj të plotësohet sipas radhës së listës!”, tha përfaqësuesja e KQZ.

Ky vendim i Kolegjit, 4 muaj pas zgjedhjeve, i hap rrugë Komisionit Rregullator që të certifikojë rezultatin  e 11 majit. Pas vulosjes së zgjedhjeve, Presidentit i lind e drejta që të thërrasë legjislaturën e re të Kuvendit, ku PS do të ketë 83 deputetë, PD dhe aleatët e saj do të përfaqësohen me 50 mandate, PSD e Tom Doshit me 3 përfaqësues, 2 Partia Mundëssia, ndërsa Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë me nga një deputet.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos