Sali Berisha ka paralajmëruar padi penale nga prokurorëve apo individëve të tjerë, që sipas tij, kanë manipuluar me dosjen “Partizani”.
“Dosja Partizani është fund e krye një krim politik i mirëfilltë, një piramidë e vërtetë mashtrimi. Ju garantoj se do të bëhet çdo përpjekje për të vendosur para ligjit të gjithë ata që i kanë lejuar vetes, një shpifje, trillim, mashtrim, për arsye politike, për shkak të krimeve në të cilat janë vetë të përzier”, tha Berisha në një konferencë për mediat të zhvilluar online, nga banesa e tij ku qëndron në arrest shtëpie, shkruan A2 CNN.
Ai tha se ka disa gazetarë që keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga SPAK. “Keqpërdoren se janë të marrë peng realisht dhe unë këtë do të ua faktoj. Me këtë unë ju them kaq; do të trajtoj njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i partisë. Ai ose ajo, para se të lexojë, para se të bëjë deklarata që janë fund e krye mashtrim, para se të marrë përsipër të bëhet zëdhënës i mashtrimeve, le të zgjedhë çfarë të dojë nga ajo dosje dhe të pyesë, ose avoketërit, ose Sali Berishën, ose Jamarbër Malltezit. Dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë transparencë për çdo pyetje. Thashë edhe njëherë, këtu nuk bëhet fjalë për gjobëvënësit e Linda Ramës, për Bolinot, jo. Ata do të trajtohen njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i Partisë. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë gazetarët e tjerë të cilët me përkushtim, raportojnë njoftojnë, kryejnë detyrën e tyre”, tha Berisha.
Akuza ndaj Bollino-s hodhi në studion e “Off the Record” në A2 CNN edhe vajza e Sali Berishës. “Sali Berisha ndryshoi ligjin e pronave që e bëri më të vështirë ligjin e pronave, sepse shtoi dy shtresa kontrolli, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë dhe Avokaturën e Shtetit”, tha Argita Malltezi. “Ky ligj ishte i përgjithshëm dhe jo nominativ. Nuk ishte ligj si ai për Carlo Bollino-n që bën Edi Rama, 4 VKM për të marrë tokën që është destinuar për gjimnaz. Nuk ishin ligje që të marrë Olsi 37 mijë metër katrorë që të marrë Olsi (Rama) për klubin e tij. Ishin ligje që janë zbatuar njëlloj për të gjithë”. (A2 Televizion)