Në Kryesinë e Kuvendit, mazhoranca dhe deputetët po debatonin gjatë një mbledhje të Këshillit të Mandateve, kur kreu i grupit parlamentar të PD ndau me kolegët lajmin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit demokrat Gert Bogdani, duke kërkuar edhe shtyrjen e mbledhjes.
“Një kolegu ynë është ndarë nga jeta, bëhet fjalë për ish-deputetin Gerti Bogdani. Në kushte të tilla ne deputetët e PD, por besoj edhe ju, nuk jeni në gjendje të vijojmë këtë mbledhje, ndaj propozoj shtyrjen e saj”, u shpreh Bardhi.
Debati u shua dhe kërkesa u respektua menjëherë nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, që shprehu dhe ngushëllimet për familjen e ish-deputetit.
“Të prehet në paqe kolegu ynë, dritë shpirti i tij”, tha Elisa Spiropali.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u njoftua për humbjen e jetës së Bogdanit teksa ishte duke zhvilluar një konferencë për mediat. Lideri i PD shprehu konsiderata të larta për ish-deputetit, duke vlerësuar jo vetëm kontributin politik por edhe qytetarinë e tij.
“Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”, deklaroi Berisha.
Edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një shënimi në mediat sociale shprehu ngushëllimet për largimin e parakohshëm nga jeta të Bogdanit, të cilit i referohet si mik dhe bashkëpunëtor.
“Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit”, shkruan Basha.
Kryeministri Rama reagoi gjithashtu me një postim online. “Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”, shkruan kreu i Qeverisë. (A2 Televizion)