Eurodeputeti Fredi Beleri është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha është politikani më i suksesshëm gjatë 30 viteve të fundit.
Komentet Beleri i bëri gjatë një interviste në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se Berisha ishte politikani që hapi shkollën greke në Himarë, e cila ishte e mbyllur prej 46-vitesh.
Ai përmendi gjithashtu disa arritje të qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, mes të cilave, edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave.
“Zotin Berisha e shikoj politikanin më të suksesshëm të 34-viteve tranzicion në Shqipëri. Ishte njeriu që bëri tranzicionin nga regjimi komunist në demokraci, ishte njeriu që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, ishte njeriu që liberalizoi vizat, ishte qeveria e tij që hapi në Himarë shkollën greke që ishte mbyllur për 46-vite nga regjimi komunist, ishte njeriu që deri në 2013 ktheheshin shqiptarët nga emigracioni, ndërsa nga 2013 e deri më tani, mungojnë 1 milionë njerëz në Shqipëri.
Berisha kishte thënë se do bënte zgjedhje Brenda partisë së vetë për kryeministrin. Unë isha i qartë që PS do ishte parti e parë, por mendoja se nuk do i kalonte 71 deputetë”, tha mes të tjerash Beleri. (A2 Televizion)