Berisha i ftoi në tryezë të premten, deputeti i Lëvizjes Bashkë e refuzon: Jeni bashkim qelbësirash, në PD nuk ka vend për Salianjin

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 21:42 | Politikë

Deputeti i Lëvizjes Bashkë Redi Muçi  ka refuzuar hapur ftesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për t’u ulur në një tryezë opozitare të premten, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me PD-në, tani dhe në të ardhmen. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Muçi theksoi se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë njësoj fajtore për ndërtimin e një sistemi oligarkiko-politik gjatë 35 viteve të fundit.

“Me Partinë Demokratike sigurisht që s'ka për të pasur asnjë lloj bashkëpunimi as në të ardhmen. Këtë e ka shprehur qartë edhe kryetari i Lëvizjes Bashkë, për arsyen e thjeshtë se ne praktikisht e konsiderojmë Partinë Socialiste njësoj fajtore si Partia Demokratike në ngritjen e këtij sistemi oligarkiko-politik që është ngritur në këto 35 vjet”.

Në këtë këndvështrim, deputeti Muçi e quajti ftesën e Berishës një tjetër përpjekje të tij për të “ngritur çadrën”, duke shtuar se në PD nuk ka vend për Salianjin jo më për figura të tjera.

“Përpjekja e radhës si përpjekja e radhës e Sali Berishës për të ngritur çadrën. Me pak fjalë kur në çadrën e Berishës nuk ka vend për Salianjin që është i vetmi që guxoi të thotë gjysmë llafi kundër liderit të vet. Imagjinon se çfarë vendi ka pastaj për partitë e tjera. Është qesharake tentativa. Po themi e radhës”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, pluralizmi politik në Shqipëri ka shërbyer për të kanalizuar çdo opozitë reale vetëm në boshtin PS–PD, ndërsa marrëveshjet mes partive, sipas tij, kanë qenë famëkeqe, duke sjellë në vëmendje marrëveshjet Berisha-Meta dhe Rama-Meta.

“Në këto dekada pluralizmi politik ka pasur një tendencë si të thuash për ta kanalizuar çdo oponencë tek hullia PS-PD dhe në ato pak raste kur ka pasur marrëveshje mes partish kanë qenë marrëveshje famëkeqe si është ky bashkimi i qelbësirave bashkë qoftë si të thuash Berisha me Metën, qoftë Rama me Metën më pas që i kanë sjellë vetëm të këqija vendit”, tha ai në Off The Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai theksoi se Lëvizja Bashkë është një subjekt politik ndryshe, i ndërtuar, sipas tij, mbi vullnetin e qytetarëve dhe me një qasje të qartë antisistem të ngritur në këto dekada.

“Besoj se për herë të parë në vitet e fundit në politikën shqiptare është një subjekt politik si Lëvizja Bashkë, e cila nuk është si të thuash nuk ka dalë nga një prej dy partive kryesore të vendit. Është një subjekt i ngritur nga vullneti i popullit dhe nga një qasje e qartë dhe koherente që është antisistemore e një sistemi të ngritur në 35 vjet shtet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos