"Po ju del për hundësh 300 euroshi i Ramës", Lita: Tani ju shkon fatura 30 mijë euro

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 21:23 | Politikë

"Shpallja e gjendjes së emergjencës është e domosdoshme, në mënyrë që qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga përmbytjet, të dëmshpërblehen". Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, gazetari Lavdrim Lita, sipas të cilit dëmet e banorëve të zonave të përmbytura shkojnë në qindra mijëra euro, për shkak të keqqeverisjes dhe ndërhyrjes së dorës së njeriut.

“Emergjente është shpallja e emergjencës, sepse këta qytetarë kanë pësuar dëme me mijëra euro dhe disa e qindra mijëra euro, të cilët pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të dëmshpërblehen për dëmet që ka shkaktuar keqqeverisja dhe dora e njeriut”, tha Lita në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij situata në autostradën e Tiranës është pasojë e mungesës së planifikimit dhe mos-pastrimit të kanaleve kulluese, e cila këkron ndërhyrje kolektive dhe jo individuale.

“Në autostradën e Tiranës është nga dora e njeriut nga mungesa  e planifikimeve dhe pastrimeve të kanaleve kulluese. Janë shpenzuar mijëra euro për të blerë pompa për të nxjerrë ujin se kanë frikë. Nuk mund ta bëjë një privat te biznesi i tij duhet të jetë kolektive dhe dëmet duhen dëmshpërblyer nga shteti përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, deklaroi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Duke folur për përmbytjet në Durrës, Lita denoncoi se qytetarët nga zona e ish-kënetës apo Shkozetit marrin nga 300 euro gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa përballen me fatura 30 mijë euro nga dëmet e shkaktuar nga përmbytjet. Ai apeloi për rezistencë dhe llogaridhënie të qeverisë.

“Qytetarëve po u del për hundësh si të Kënetës, Shkozetit etj. Që marrin atë 300-euroshin gjatë zgjedhjeve dhe u shkon 30 mijë euro fatura me ujin që u shkon në shtëpi. E bëjnë kompromisin kur vijnë zgjedhjet me atë që e votojnë që nga viti 2000 dhe pastaj kur vjen uji u shkon fatura 30 mijë euro. Të bëjnë pak rezistencë, të mos marrin 300-euroshin gjatë zgjedhjeve nga çuna me xhupa të zinj, por të kërkojnë që t’u pastrohet kanali”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos